“Cigare, femra, makina… i kisha të gjitha”/ ‘George Besti’ italian flet pa dorashka: Më parë argëtoheshim, futbolli sot është për robotë

26/08/2025 16:37

Në Oderzo, Treviso, jeton ende i dashuruar me futbollin e vjetër, por i zhgënjyer nga ai modern.

Gianfranco Zigoni, i njohur si “Dio Zigo” dhe i krahasuar shpesh me George Best, rrëfen kujtime nga jeta e tij si lojtar dhe si njeri rebel, i papërshtatshëm për rregullat.

Në një intervistë të gjatë, 80-vjeçari flet për kohët e arta, për golat spektakolarë, për jetën e tepruar dhe për futbollin e sotëm, që sipas tij ka humbur fantazinë.

“Në ditët e sotme, të gjitha ndeshjet janë njësoj”

– Zigo, çfarë mendoni për futbollin modern?

– Në ditët e sotme, të gjitha ndeshjet janë njësoj. Trajnerët duan ushtarë lodër, lojtarë që zbatojnë urdhra. Nuk ka më dëshirë për të mahnitur. Nuk ka më driblim, nuk ka shpikje, nuk ka imagjinatë. Futbolli është bërë monoton: pasime anësore, pasime prapa. Nuk kam parë më askënd të marrë guximin të sfidojë një kundërshtar me një shtirje. Unë nuk do të kisha mundur të luaja në këtë futboll. Unë argëtohesha dhe i argëtoja njerëzit.

“Sot jam një monument, dikur isha një rebel”

– Si është jeta juaj sot në Oderzo?

– Tani jam një lloj monumenti. Tifozët vijnë, shohin muralin që më kanë dedikuar, flasin me mua, më pyesin për ditët e vjetra. Pimë diçka dhe pastaj largohemi me buzëqeshje. Më bën të lumtur që ende më kujtojnë në moshën 80-vjeçare. Është kotësi? Ndoshta, por më pëlqen.

“Kujtoj golin ndaj Vicenzas dhe dushin e parë”

– Cili është momenti që nuk e harroni kurrë?

– Një gol ndaj Vicenzas me Veronën. Kalova katër kundërshtarë, godita me të majtën dhe topi shkoi në cepin e sipërm. Çfarë mund të bëja më shumë? Pastaj u futa në tunel dhe shkova direkt në dush. Ishte fundi i shfaqjes. Karakteri nuk ndryshon, unë ashtu kam qenë gjithmonë.

“Shkova në stol me pallto leshi dhe cigare”

– Shpesh keni qenë protagonist edhe jashtë fushe…

– Po, si atëherë kur trajneri Ferruccio Valcareggi më la jashtë. Më tha: “Nuk e ndryshoj një skuadër fituese”. Dhe unë iu përgjigja: “Si guxon të lësh jashtë lojtarin më të mirë në botë?”. Atë ditë shkova në stol me pallton e leshit, një kapelë kauboji dhe një pako cigare në xhep. Ishte stili im, i papërshtatshëm për rregullat.

“Cigare, gra, makina… ishte një jetë e ekzagjeruar”

– Ju konsideroheni si “George Best-i italian”. Jeta juaj ishte e pamatur?

– Më shumë se e pamatur, do të thosha e ekzagjeruar. Nuk më mungonte asgjë: cigare, alkool, gra, makina të bukura, sukses. Nuk duroja dot pushtetin dhe rregullat. Një herë te Juventusi, drejtori Allodi më tha: “Nëse pret flokët, të jap 100 mijë lireta”. Iu përgjigja: “Nuk jam në shitje. Dhe këto janë 200 mijë lireta, përdori për të prerë diçka tjetër më të çmuar për ty”. Cili lojtar do të fliste kështu sot? Askush.

“Sot futbollistët janë robotë, atëherë kishim fantazi”

– Si ndryshon futbolli i asaj kohe nga ky i sotmi?

– Në vitet ’60 dhe ’70 kishte më shumë njerëzillëk, më shumë fantazi. Ne luanim për të mahnitur. Sot, lojtarët janë robotë. Teknologjia na ka mashtruar. Ndeshjet janë monotone. As finalen e Interit kundër PSG-së nuk e kam parë, sepse e dija që nuk do të emocionohesha. Më mirë shoh fëmijët e Oderzos duke luajtur. Futbolli është i bukur kur lë hapësirë për imagjinatën.

“Shpërdorova talentin, isha një anomali”

– A mendoni se e keni shpërdoruar talentin tuaj?

– Po. Shpesh them se kam qenë një anomali në futboll. Santamaria i Real Madridit tha për mua: “Ky bir kurve është si Pelé”. Por unë luajta vetëm një ndeshje me kombëtaren. Nuk më interesonin paratë, i shpenzoja të gjitha. Ecja edhe me një Colt 45 në xhep, qëlloja në shtyllat e ndriçimit në kampin stërvitor. E doja Che Guevarën dhe e deklaroja hapur. Nuk isha kurrë pjesë e sistemit. Dhe kështu mbeta.

 

Top Channel