
Pas prishjes së ndërtimeve pa leje në Theth, nisi sot pastrimi i inerteve.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto të pastrimit të mbetjeve të 40 subjekteve, që sipas tij “kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje, nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru, në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peisazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot“.
Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi, thotë kreu i qeverisë deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT.
“Thethi do të kthehet në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE“, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Gjatë aksionit të IKMT-së u shembën rreth 70 ndërtime të paligjshme brenda perimetrit të parkut kombëtar. Aksioni u zhvillua me praninë e forcave të shumta policore, për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë ndërhyrjeve. Banorët që kishin ndërtuar objekte pa leje kundërshtuan aksionin. Ata dje organizuan edhe një takim sipas kanunit të vjetër në mes të fshatit.
Top Channel