Një javë pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si të papajtueshëm ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare, mazhoranca propozon një draft të ri për rregulloren e Kuvendit.
Grupi Parlamentar Socialist depozitoi në Kuvend draftin, i cili parashikon sërish të njëjtën strukturë të komisioneve parlamentare, por propozon disa ndryshime nga rregullorja aktuale.
Në draftin e ri të socialistëve, vihet re kufizimi i kohës së fjalimeve të ministrave dhe deputetëve në 5 minuta, nga 10 që është aktualisht.
Drafti i ri është firmosur nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, dhe dy deputetët Erion Malaj dhe Erjo Mile, dhe parashikon gjithashtu fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit për institucionet e tjera, ndërsa projektligjet që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Por njëkohësisht, drafti i ri i socialistëve kërkon të vijohet me strukturën e re të komisioneve parlamentare, që përmban 11 të tillë, dhe jo 8 sa ishte më parë.
Kjo strukturë e re nisi zbatimin nga shtatori i 2025-ës, duke ndryshuar rregulloren e Kuvendit, që ishte në fuqi prej vitit 2004. Sipas saj, u ndanë komisioni parlamentar i arsimit nga ai i kulturës, bujqësia nga tregtia dhe transporti, si dhe komisioni i integrimit evropian nga ai për politikat e jashtme.
Për Partinë Demokratike ndryshimet në rregullore ishin të njëanshme dhe i çoi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit e cilësoi antikushtetues ndryshimin e beftë të rregullores, që ribëri komisionet parlamentare, duke urdhëruar shfuqizimin e strukturës së re.
Top Channel