
Më shumë emigrantë jashtë vendit, por edhe më tepër remitanca.
Shqiptarët në 3 muajt e parë të vitit dërguan drejt familjeve të tyre 251 milionë euro, nga 242 milionë krahasuar me të njëjtën periudhë në 2024, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Varësia nga remitancat, e rritur nga viti në vit, ka bërë që këto familje – kryesisht pensionistët – ta përdorin si një burim kryesor të të ardhurave. Por ndonëse sasia është rritur ndjeshëm, shqiptarët po përfitojnë më pak se vite më parë, pasi zhvlerësimi i valutës ka bërë që 1 euro të këmbehet për vetëm 85 lekë.
Nga ana tjetër, jo vetëm të ardhurat nga emigrantët, por edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje, duke injektuar kështu më shumë para në ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë raporton se në tre muajt e parë të vitit ato arritën në 362 milionë euro, nga 354 milionë euro në tremujorin e parë të 2024.
Të ardhura kryesisht nga injektimi i kapitalit të ri apo edhe fitimeve të riinvestuara.
Sektori që tërheq më shumë investime është ai i pasurive të paluajtshme, kryesisht për blerjen e pronave, ndjekur nga ndërmjetësimi financiar, por edhe hidrokarburet, energjia dhe komunikacioni.
Top Channel