
Massimiliano Allegri është shumë pranë rikthimit te Milani.
Oferta e bërë nga drejtori i ri sportiv, Igli Tare, u pranua nga Allegri vetëm disa orë pasi u bë publike mbrëmjen e të mërkurës.
Trajneri toskan thuhet se ka firmosur një kontratë trevjeçare me një pagë prej 5 milionë euro në sezon, plus bonuse që arrijnë në 2 milionë euro.
Ky është një rikthim i rëndësishëm për Allegri në Milanello, ku ai kishte drejtuar skuadrën nga vera e vitit 2010 deri në janar 2014. Në atë periudhë, ai zhvilloi 178 ndeshje, arriti 91 fitore, 49 barazime dhe 38 humbje, duke fituar një Scudetto në sezonin 2010-2011 dhe një Superkupë Italiane në 2011.
Pas një periudhe pushimi pas largimit nga Juventusi, Allegri pritet të marrë drejtimin e Milanit me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij: të ringjallë një skuadër që vjen nga një nga sezonet më të vështira në historinë e saj të fundit.
Milan zgjodhi Allegrin, duke lënë pas konkurrentin Napoli, që e konsideronte atë si opsion në rast të largimit të Antonio Contes.
Top Channel