
Nesër, 11 Maj shqiptarët votojnë për të zgjedhur kush do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme. Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare që nga rënia e regjimit komunist të Enver Hoxhës në vitin 1991.
Të drejtën e votës për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3 milionë e 713 mijë e 761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, nga të cilët 114 mijë e 642 janë të rinj do të votojnë për herë të parë.
Të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale e kanë edhe 3 mijë e 27 persona të dënuar dhe të paraburgosur.
Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë për të fituar shumicën e ulëseve në Parlament, në një formulë të re zgjedhore.
SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar 6,838 efektivë me uniformë dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Top Channel