“Shtëpi të reja, pas zgjedhjeve”, Rama në Fushë-Krujë: Në total do të arrijmë në 1100 banesa të reja, falas

07/05/2025 15:15

Në Fushë Krujë Edi Rama shkoi me një premtim të mbajtur për rindërtimin e apartamenteve të shkatërruara nga tërmeti.

“Ne faktikisht kemi përmbyllur të gjithë detyrimet tona me shpërndarjen e 350 apartamenteve të fundit që kanë mbetur vetëm për shkak se respektuam këtë periudhë zgjedhore që ka disa rregulla të caktuara, kështu që lart në Krujë këto apartamentet do të shpërndahen menjëherë pas zgjedhje, ne arrijmë në një total prej mbi 1100 shtëpish të reja, më të bukura, më të forta dhe mbi të gjitha falas”, tha Rama.

Edhe në Fushë Krujë i pari socialistëve nuk I kurseu batuat të cilat e kanë shoqëruar në këtë fushatë elektorale.

“Ah vdeksha unë për ty! Rrofsh që kalove, o hudhër. Tani jemi në rregull. Po e prisja. Thashë në Krujë duhet patjetër ta dëgjoj një ‘’Rama ik’’ që të plasë syri i keq. E plasi syrin e keq. Tani kanë për ta parë në 11 maj. Edhe ku e tha? Tamam sa përmenda unë fjalën kënetë për herë të parë, tak doli bretkosa, e patë? Ah, vdeksha! Po ju se patë si ishte, se i kishte flokët e lagura. Sa kishte dalë nga dushi”, u shpreh kryesocialisti.

Kryeministri renditi zë më zë investimet në qarkun e Durrësit në transformimin  urban, turizëm, mjedis, shpërndarjen e  energjisë, bujqësi dhe arsim në një vlerë totale prej 1.1 miliard euro.

“Kur kam ardhur këtu përpara, që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë më shumë se ç’kemi bërë në vitet e tjera të mbledhura së  bashku, ju them të njëjtën gjë, në 4 vitet e ardhshme do bëjmë edhe më shumë se sa ç’kemi bërë në të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku, nëse ju dhe të gjithë qytetarët do të na jepni një mbështetje edhe më të fortë, një besim të palëkundur dhe një fuqi edhe më të madhe për të marrë vendime dhe për ta çuar përpara vendin duke e realizuar edhe profecinë e atij që ju e keni atje lart në Krujë, si hijen e gjithë malit, Gjergj Kastriotit, i cili e përcaktoi qysh atëherë se fati që i stërnipërve të tij është Europa”, përfundoi kryeministri.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta