Lufta tregtare SHBA-Kinë, sekretari i Thesarit: Do të fillojmë negociatat në fundjave

07/05/2025 09:44

Kina dhe Shtetet e Bashkuara thanë se do të takohen fundjavën e ardhshme në Zvicër për të hedhur themelet për negociatat tregtare, të parat që kur presidenti amerikan, Donald Trump vendosi tarifa për mallrat kineze dhe Pekini u përgjigj.

Kina “nuk do të sakrifikojë pozicionin e saj parimor” dhe “do të mbrojë drejtësinë” gjatë takimit midis zëvendëskryeministrit të saj He Lifeng, Sekretarit të Thesarit të SHBA-së Scott Bessent dhe përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së Jamieson Greer, paralajmëroi sot Ministria Kineze e Tregtisë.

“Nëse Shtetet e Bashkuara duan ta zgjidhin çështjen përmes negociatave, ato duhet të përballen me ndikimin serioz negativ mbi veten dhe botën nga tarifat e tyre të njëanshme”, thuhej në në deklaratë.

“Nëse Shtetet e Bashkuara flasin në një mënyrë dhe veprojnë në një tjetër ose nëse përpiqen të vazhdojnë të detyrojnë dhe shantazhojnë Kinën nën maskën e bisedimeve, Kina nuk do të bjerë kurrë dakord”, përfundoi deklarata e ministrisë.

“Unë jam i etur të zhvilloj bisedime produktive për të rivendosur ekuilibrin në sistemin ekonomik ndërkombëtar për t’i shërbyer më mirë interesave të Shteteve të Bashkuara”, tha Bessent në një deklaratë.

Të dy palët do të takohen të shtunën dhe të dielën për të hedhur themelet për negociatat e ardhshme, tha ai në një intervistë me Fox News të martën.

“Pres që do të flasim për uljen e tensioneve, jo për një marrëveshje të madhe tregtare. Na duhet ulje e tensioneve përpara se të mund të ecim përpara”, tha Bessent.

Për të mbështetur një ekonomi të rënduar nga konsumi i ngadaltë dhe një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, Pekini njoftoi gjithashtu të martën një ulje të normave të interesit dhe sasinë e rezervave të kërkuara që bankat duhet të mbajnë për të lehtësuar kreditimin.

“Raporti i rezervave të kërkuara do të ulet me 0.5%”, tha Pan Gongsheng, guvernator i Bankës Popullore të Kinës, në një konferencë për shtyp.

Njoftimet ekonomike vazhduan me një ulje të normave të kreditimit për blerësit e shtëpive për herë të parë. Norma e interesit për blerësit e shtëpive për herë të parë me një afat kredie më shumë se pesë vjet do të ulet nga 2.85% në 2.6%, tha Pan Gongsheng.

Pasi Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata e tij vendosi tarifa të reja me një total prej 145% për mallrat nga Kina, të cilave u shtohen edhe masa specifike për sektorët.

Pekini u përgjigj duke vendosur tarifa prej 125% për importet amerikane në Kinë, si dhe masa më të synuara.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta