
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi dje, të dielën, se po “fillon menjëherë procesin e vendosjes së tarifave doganore 100% ” për filmat e shpërndarë në kinematë amerikane që janë prodhuar jashtë vendit.
“Industria amerikane e filmit po vdes shumë shpejt (…) Hollywoodi dhe shumë zona të tjera në SHBA po shkatërrohen”, pohoi Trump nëpërmjet Truth Social.
“Vende të tjera po ofrojnë të gjitha llojet e stimujve për të joshur regjisorët tanë dhe kompanitë tona të prodhimit larg SHBA-së”, tha ai. Sipas tij, kjo është një “përpjekje e koordinuar nga vendet e tjera” që përbën një “kërcënim” për “sigurinë kombëtare” amerikane.
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, republikani ka urdhëruar hetime të shumta mbi “implikimet e sigurisë kombëtare” të importeve të të gjitha llojeve, nga gjysmëpërçuesit te metalet e rralla.
The Movie Industry in America is DYING a very fast death. Other Countries are offering all sorts of incentives to draw our filmmakers and studios away from the United States. Hollywood, and many other areas within the U.S.A., are being devastated. This is a concerted effort by…
— Donald J. Trump Posts From His Truth Social (@TrumpDailyPosts) May 4, 2025
Çdo hetim i kësaj natyre është hapi i parë i nevojshëm në mënyrë që presidenti amerikan të mund të vazhdojë me nënshkrimin e urdhrave ekzekutivë që vendosin tarifa për produktet e importuara me arsyetimin se sasia e tyre që hyn në vend kërcënon sektorët përkatës amerikanë të aktivitetit dhe për këtë arsye “sigurinë kombëtare”.
Megjithatë, ai nuk dha asnjë detaj mbi termat dhe kushtet për vendosjen e tarifave shtesë doganore për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së.
Sidoqoftë, ky veprim përbën një përshkallëzim të ri të luftës tregtare që presidenti amerikan ka nisur kundër praktikisht të gjithë partnerëve të vendit të tij.
Kina, e cila është veçanërisht e shënjestruar nga Presidenti Trump në këtë fushë, njoftoi në fillim të prillit se do të zvogëlonte, “në mënyrë të matur”, numrin e filmave amerikanë të shpërndarë në kinematë e territorit të saj, si pjesë e reagimit të saj ndaj vendosjes së tarifave ndëshkuese amerikane – shpesh penguese – për produktet e saj të eksportuara në tregun amerikan.
Pekini tashmë kufizon, duke përdorur një sistem kuotash, numrin e filmave të huaj të shpërndarë në kinematë në territorin kinez. Çdo reduktim i mëtejshëm i aksesit në këtë treg të veçantë kinez – i dyti më i madh në botë, pas SHBA-së, për sa i përket xhiros – do të godiste rëndë të ardhurat e studiove të Hollivudit.
Top Channel