
Nga nxitja e trurit tek forcimi i kujtesës, një studim i fundit tregon se pavarësisht sfidave me të cilat përballet në epokën e sotme digjitale, shkrimi me dorë nuk duhet braktisur.
Nëse keni vështirësi të përthithni informacion kur studioni, rikthejuni letrës dhe lapsit, thonë ekspertët që insistojnë se të shkruarit me dorë e nxit trurin më shumë se daktilografia digjitale. E për këtë ka dhe shpjegim konkret: Metoda e vjetër stimulon një rrjet më gjerë të veprimtarisë së trurit sidomos në zonat parietale dhe qendrore.
Këto zona janë përgjegjëse për krijimin e kujtesës dhe përpunimin e informacionit vizual dhe kanë rëndësi thelbësore për përftimin e informacionit të ri. Studimi i cituar nga DW, tregon se kur studioni duke mbajtur shënime në kompjuter apo telefon, truri shfaq aktivitet thuajse minimal. Shkrimi me dorë rrit aktivitetin e trurit përmes lëvizjes së dorës, e cila ndihmon të mbash mend dhe të kuptosh.
Gjetjet rekomandojnë që shkrimi me dorë të jetë pjesë e pandashme gjatë arsimimit sidomos në vitet e para të jetës. Konsiderohet për çdo rast, se në ditët tona kur shënimet në kompjuter janë më të shpejta, duhet gjetur një baraspeshë mes të shkuarit me dorë dhe përdorimit të mjeteve digjitale.
Top Channel