Moska kërkon armëpushim tre-ditor, reagon ministri i Jashtëm rus: Ukraina nuk i pranon kushtet

29/04/2025 20:20

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 1,161-të, mes kërcënimeve të reja nga Moska dhe diskutimeve ndërkombëtare për një armëpushim të mundshëm.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi se Rusia kishte gabuar kur kishte besuar vendeve perëndimore, përfshirë Italinë, në vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ai shtoi se Suedia dhe Finlanda, që u anëtarësuan së fundmi në NATO, janë tashmë “objektiva të forcave ruse”, duke përmendur edhe “një komponent të mundshëm bërthamor” në rast të një hakmarrjeje.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të këmbëngulë se kontrolli i plotë i katër rajoneve ukrainase të pushtuara pjesërisht është kusht për një marrëveshje paqeje.

Sipas Bloomberg, Putin ka shpallur një armëpushim të përkohshëm që do të nisë më 8 maj në mesnatë do të zgjasë deri më 11 maj në mesnatë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e cilësoi këtë propozim si një hap drejt fillimit të negociatave të drejtpërdrejta me Ukrainën pa parakushte.

Megjithatë, Ukraina e ka refuzuar idenë e një armëpushimi të shkurtër, duke kërkuar një ndërprerje të luftimeve për të paktën 30 ditë. Kjo kërkesë u konsiderua nga Lavrov si “një parakusht”, ndërsa përfaqësuesi special i Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, e quajti armëpushimin tre-ditor të Rusisë “absurd”, duke përkrahur një ndërprerje të plotë të luftës në të gjitha frontet – det, ajër, tokë dhe infrastrukturë – për të paktën një muaj.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që përfshin dorëzimin e territorit të Ukrainës. “Nuk mund t’i japim Putinit asnjë pjesë të vendit tonë,” deklaroi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta