Panik në aeroportin e Los Anxhelosit, dy avionë përfshihen në një aksident në pistë

06/10/2026 22:25

Dy avionë janë përfshirë në një incident në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 10:30 me kohën lokale, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka nisur hetimet për incidentin.

Sipas FAA-së, një avion Airbus A350 i Delta Air Lines, i cili po lëvizte në pistën lidhëse për t’u nisur, preku me majën e krahut të majtë stabilizatorin horizontal të një Boeing 777 të Air Canada.

Avioni i Air Canada kishte mbërritur nga Toronto dhe në momentin e incidentit po tërhiqej nga një mjet drejt portës së tij. Sipas autoriteteve, ai kishte ndaluar pak para se të mbërrinte te porta.

Të dyja kompanitë ajrore konfirmuan se avionët patën kontakt fizik dhe bënë të ditur se nuk pati të lënduar.

Në avionin e Delta-s ndodheshin 275 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit.

“Siguria e klientëve dhe njerëzve tanë është gjëja më e rëndësishme dhe u kërkojmë falje klientëve tanë për përvojën dhe vonesën në udhëtimin e tyre”, deklaroi Delta Air Lines.

Ndërkohë, Air Canada bëri të ditur se avioni do të nxirret nga shërbimi për t’iu nënshtruar kontrolleve dhe riparimeve të nevojshme.

Edhe Delta ka nisur vlerësimin teknik të avionit, me ekipet e mirëmbajtjes dhe stafin e aeroportit që do të përcaktojnë shkallën e dëmtimeve.

Top Channel