Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar 28 amendamente për projektbuxhetin dhe paketën fiskale, ku propozon vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe pezullimin e pagesave për koncesionet me financim nga buxheti i shtetit.
Sipas opozitës, propozimet synojnë orientimin e parave publike drejt përmirësimit të shërbimeve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
“Të gjitha amendamentet synojnë të shndërrojnë buxhetin e shtetit nga buxhet për financimin e korrupsionit në buxhet për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Demokratët kërkojnë rritjen me 30-50% të pagave për administratën publike, rritjen me 30% të pagave në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Për pensionistët propozohet rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që garanton rritje të përhershme, ndërsa për familjet në nevojë kërkohet dyfishimi i ndihmës ekonomike.
Sa i përket paketës fiskale, PD propozon uljen në 6% të TVSH-së për ujin dhe energjinë elektrike, ruajtjen e normës së përgjithshme të TVSH-së në 20%, vendosjen e taksës së sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve dhe asaj mbi dividendin.
Në amendamentet e opozitës parashikohet gjithashtu pezullimi i kontratave të partneritetit publik-privat që financohen nga buxheti i shtetit, ndërprerja e financimit të koncesionit të laboratorëve, si dhe shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
PD kërkon trefishimin e subvencioneve për bujqësinë dhe të fondeve për ish-të përndjekurit politikë, dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave, si dhe rritjen me nga një pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë.
Mes propozimeve është edhe alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve të prekur nga zhvlerësimi i euros, 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin energjetik dhe nga 1 miliard lekë për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë.
Opozita propozon gjithashtu rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, financimin e kërkimit shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së dhe realizimin e dy projekteve infrastrukturore në qarkun e Beratit.
Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së për buxhetin dhe paketën fiskale përfshijnë:
Top Channel