“Le të bëjnë 100 kallëzime në SPAK, nuk kam asgjë për të fshehur”/ Spiropali: Nuk jam e shantazhueshme, e kam ditur çfarë më pret

25/11/2026 11:55

Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me kallëzimet në SPAK ndaj saj, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se nuk ndihet e shantazhuar. Deputetja tha se, që në momentin kur nisi betejën e saj politike, ishte e vetëdijshme për atë që mund të pasonte.

Spiropali kërkoi që SPAK-u të mos përfshihet në këtë diskutim, ndërsa theksoi se shqetësimet e ngritura prej saj nuk kanë qenë personale, por lidhen me atë që ajo e cilëson përdorim të institucioneve për të shtypur çdo zë kundërshtues.

Ajo kritikoi gjithashtu ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve, duke argumentuar se zgjidhja duhej të ishte dëgjimi i shqetësimeve të tyre dhe dialogu me opozitën.

 “Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 10, 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen.

Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan.

Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Kallëzimi është një gjë, se mund të kenë sa të duan të bëjnë kallëzime,se unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.

Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi.

Top Channel