“Kina nuk i përballon dot tarifat”, sekretari i Thesarit të SHBA-së: Na shesin 5 herë më shume mallra sesa ne atyre

29/04/2025 18:12

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, refuzoi të konfirmonte nëse Uashingtoni ishte në bisedime të drejtpërdrejta me Pekinin për të negociuar një marrëveshje tregtare.

“Nuk do të komentoj se kush po flet me kë. Me kalimin e kohës, do të bëhet e qartë se tarifat kineze janë të paqëndrueshme për Kinën sepse bilanci tregtar është kryesisht në favor të kinezëve, pasi ata na shesin pothuajse pesë herë më shumë mallra sesa ne atyre”, gjë që ai tha se do ta detyronte Pekinin të hiqte tarifat.

I pyetur përsëri nëse administrata Trump po flet drejtpërdrejt me Pekinin për tarifat, Bessent tha: “Ata kanë një formë të ndryshme qeverisjeje dhe po i drejtohen audiencave të ndryshme. Nuk do të hyj në detaje, por siç thashë, besoj se tarifat janë të paqëndrueshme për Kinën”

Kujtojmë se javën e kaluar, në një intervistë me TIME, presidenti Trump kishte pohuar se presidenti Kinez Xi Jinping e kishte telefonuar, megjithëse më vonë nuk u sqaroi gazetarëve nëse ata kishin folur pas vendosjes së tarifave amerikane.

“Unë dhe Caroline (zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë) kemi shumë punë në Shtëpinë e Bardhë, por ne nuk drejtojmë qendrën e telefonatave”, tha Bessent duke iu referuar çështjes me shaka.

Ndërkohë, ai tha se administrata Trump është “shumë afër” njoftimit të një marrëveshjeje tregtare me Indinë. Duke folur së bashku me Caroline Levitt, ministri shpjegoi se negociatat me Indinë janë “shumë më të lehta” sesa me vendet e tjera, për shkak të barrierave të larta jo-tarifore të vendosura nga New Delhi.

Edhe pse nuk specifikoi një datë të saktë për njoftimin e marrëveshjes, ai tha se javën e kaluar kishte vlerësuar se ajo mund të arrihej brenda dy javëve të ardhshme.

Së fundmi, Bessent iu referua edhe bisedimeve tregtare me Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke vënë në dukje se në rastin e Seulit, zgjedhjet presidenciale në qershor nuk pritet të vonojnë arritjen e një marrëveshjeje.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta