
Autorët dhe ata që komplotuan sulmin në Kashmirin të Indisë që vrau 26 persona “do të përballen me ndëshkimin më të rreptë të mundshëm”, përsëriti sot kryeministri indian, Narendra Modi.
Sipas deklaratave të kryeministrit indian, të cituara nga Al Jazeera, Modi tha se sulmi ndodhi ndërsa “demokracia po forcohej” në Kashmir, pa përmendur masa specifike.
Qeveria Modi në vitin 2019 hoqi statusin special të Kashmirit, duke e vendosur atë nën administrim federale. Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike, në pushtet që nga viti i kaluar, praktikisht nuk ka asnjë fjalë në qeverisjen e rajonit.
Ekspertët thonë se qasja e Modit që vë sigurinë në radhë të parë i ka armiqësuar më tej kashmirianët, të cilët janë përballur me dhunë të madhe që nga shpërthimi i një kryengritjeje të armatosur në fund të viteve 1980.
Rebelët e Kashmirit, të cilët kërkojnë pavarësi ose bashkim me Pakistanin, kanë luftuar sundimin indian që atëherë.
Ndërkohë, ushtarët indianë të stacionuar në Kashmir shkatërruan shtëpitë e dy të dyshuarve për kryerjen e sulmit më vdekjeprurës ndaj civilëve në rajon në 20 vjet.
Anëtarët e familjeve të dy militantëve të dyshuar u ndaluan gjithashtu për t’u marrë në pyetje pas sulmit, sipas të afërmve të tyre dhe një oficeri policie.
Deri më tani, nëntë shtëpi që u përkisnin militantëve janë granatuar që nga sulmi në Kashmir, tha një oficer policie për AFP.
Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë theksuar se sulmet e fundit shkelin një vendim të Gjykatës Supreme që u kërkonte autoriteteve të jepnin njoftime të arsyetuara para se të prishnin shtëpitë.
Gjykata Supreme tha se është “tërësisht jokushtetuese” të prishësh shtëpinë e një personi pa ndjekur procesin e duhur.
Top Channel