“Hamleti në fshatin Katran”/ Gjirokastër, versioni i përpunuar i dramës së Shekspirit prek problemet e sotme

27/04/2025 20:37

Prej dy netësh në Gjirokastër po jepet shfaqja “Hamleti në fshatin Katran”, një vepër që sjell një përpunim satirik dhe komik të dramës klasike të Shekspirit.

Me një kast prej rreth 20 aktorësh,  nga emra të njohur të skenës shqiptare deri tek figurat e reja , shfaqja ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka nxitur reflektim, sidomos tek të rinjtë, mbi çështje të ndjeshme si të drejtat e njeriut dhe fenomeni i bullizmit.

Ngjarjet zhvillohen në një fshat të vogël gjatë një regjimi totalitar, ku autoritetet vendosin të inskenojnë “Hamletin” me banorët vendas. Përgatitjet zbulojnë konflikte të brendshme, padrejtësi dhe hipokrizinë e sistemit, duke krijuar një pasqyrë tragjikomike të realitetit social që kritikon mungesën e lirisë dhe shtypjen politike.

Regjisori i shfaqjes, Erjon Hinaj, tha se kjo vepër është një udhëtim drejt një “katarsisi të brendshëm” për çdo spektator: “Hamleti në fshatin Katran është një pasqyrim i krizave të brendshme që përjeton individi në përballje me padrejtësitë dhe sistemet e shtypjes.”

Aleksandër Kondi,aktor i shfaqjes e përshkroi mesazhin që përcjell teatri si atë të një “shkolle, një spitali dhe një kishe” me të vërteta të mëdha për shoqërinë: “Në këtë shfaqje masive me mbi 20 aktorë, publiku ndeshet me të gjithë spektrin e emocioneve dhe mendimeve që një shoqëri në tranzicion përjeton.”

Aktori i njohur Bujar Asqeri, që ka bashkëpunuar shpesh me trupën, shprehu kënaqësinë që merr pjesë në këtë projekt: “Kjo është një satirë komike që arrin të komunikojë mesazhe të qarta për mungesën e lirisë në sisteme të mbyllura. Kam pasur fatin ta njoh veprën nga një tjetër këndvështrim në të kaluarën, kur punoja me regjisorin Xhevdet Ferri. Tani, me këtë grup të përkushtuar, kemi sjellë një vepër që flet për sfidat kulturore dhe sociale në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

Shfaqja është pritur shumë mirë nga publiku dhe pas Gjirokastrës do të vazhdojë turneun e saj në Përmet dhe Tepelenë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta