Byreku i lindjes shoqërohet me traditë të veçantë në Dibër, si gatuhet pas ardhjes në jetë të një foshnjeje

29/06/2026 12:28

Unë ndodhem në Fushës Bulqizë dhe këtu përgatitet byreku më I veçantë në Shqipëri.

Gjatë procesit të gatimit nuk merr pjesë një grua, por dhjetë, e ky byrek bëhet vetëm atëherë kur familja shtohet.

“Unë jam Habibe Demiri dhe sot do bëjmë byrekun tradicional të zonës sonë. Jam 76 vjeçe dhe mbaj mënd që këtë byrek di ta përgatis që kur kam lindur“, tha banorja.

Pse është i veçantë ky byrek ?

“Sepse ne e bëjmë vetëm ku lind vajza e nëse na shton me vajzë bëjmë 20 kg miell byrek, kurse kur shtohemi me djali ai ka emrin e madh bëjmë 50 kg miell byrek, dhe njerëzit në gosti janë më të shumë të numër”.

Kur themi që marrin pjesë 10 gra kjo bëhet sepse për të realizuar këtë byrek na duhet shumë miell 20-50 kg miell kjo në varësi të gjinisë së fëmijës.

“Pasi të hapim kulaçët do e marrim petën në kallëm dhe do e pjekim me stufë druri e më pas do e zbusim me gjalp”.

Për të bërë këtë byrek nuk kërkohet një ditë punë, por dy për këtë arsye marrin pjesë të gjitha gratë e fisit.

“Unë e kam bërë kur më lindi vajza dhe mora gratë e lagjes. Vetë nuk mundesh”.

Dhe pjesa më e rëndësishme qëndron tek pjekja e petës.

“I gjithë sekreti është tek peta nuk duhet ta djegim dhe nuk duhet të na skuqet duhet të jetë e butë që byreku të ketë shijen e mirë.  Unë kam gjithë jetën që e përgatis ma ka mësuar gjyshja e tim shoqi dhe unë ia kam vajzës”.

Kur petat thahen bëhet zbutja.

“Për ta zbutur duhet vetëm gjalp fshati dhe në fund e shoqëron me sheqer ose me mjaltë sipas dëshirës. E të na bëjë mirë”.

Ruajtja e traditës së ushqimit është një mënyrë për të shkruar historinë. Bulqiza me ketë byrek po mundohet që të ruaj vlerat e së kaluarës duke e lidhur atë me të tashmë dhe të ardhmen pasi këtë kulturë kulinarie po e transmeton edhe tek ne brezi i ri.

Top Channel