Liqeni i Pogradecit është kthyer në frymëzimin kryesor të artistëve nga mbarë bota.
Edicioni i dytë i ekspozitës ndërkombëtare “Lin in Aqua” ka bërë bashkë piktorë nga mbi 25 shtete, duke sjellë në galerinë e qytetit mbi 150 vepra unike në akuarel.
Sipas organizatorëve, ky event sjell një përvojë të nivelit botëror, ku teknika e bojërave të ujit gjen simbiozën perfekte me natyrën e Pogradecit. Për shumë nga të huajt, ky është takimi i parë me Shqipërinë dhe kulturën tonë.
“Kjo ekspozitë është ekspozita e dytë që organizohet në Pogradec, quhet ‘Lin in Aqua’ dhe i kemi vënë emrin e një nga bukurive të Pogradecit, nga Lini. Është një ekspozitë shumë interesante, e cila vjen në vazhdimësi të shumë bashkëpunimeve me të gjithë artistët e botës. Ne kemi sjellë një përfaqësi, të cilën e sjellim çdo vit. Këtë vit, këtë përfaqësi të këtij viti e kemi sjellë me 15 artistë nga e gjithë bota”, tha organizatori Armand Xhika.
“Patjetër që gjatë këtyre aktiviteteve, përveç lidhjeve të cilat janë të nivelit të profesionit, zhvillohen shumë edhe lidhje underground, të cilat janë lidhje miqësore me artistët, të cilët janë të lumtur që, përveç anës profesionale, kur vijnë në vende të tilla si vizitorë, shprehin dhe kanë dëshirë që të njohin edhe kulturën, traditën e vendeve të cilat vizitojnë. Motivi është një motiv i thjeshtë, landscape, peizazh, i cili është i një lloj natyralizmi, i cili është në një farë mase i interpretuar. Me fjalë, është natyralizëm, i cili buron nga dëshira e artistit për ta korrigjuar, për t’i hequr e për t’i shtuar gjëra”, tha Foti Kllogjeri.
“Ky është një vend i mrekullueshëm, një ekspozitë e mrekullueshme dhe jam shumë e lumtur dhe shumë mirënjohëse ndaj të gjithë organizatorëve që më ftuan në këtë festival, në këtë festë të madhe. Është piktura ime e fundit, po. Edhe ne kemi bregdet në Ukrainë dhe unë e dashuroj atë. Më pëlqen të shoh shkëlqimin e diellit dhe lindjen e tij, dhe kjo është një pjesëz e shpirtit tim, po, paqja ime. Sepse, siç e dini, ne kemi luftë tani dhe kemi nevojë të kemi pak paqe brenda vetes e ta hedhim atë në letër për t’u ndjerë më mirë. Pasi pashë këtë vend të mrekullueshëm, po, mendoj se do të kthehem”, tha piktorja ukrainase Victoria Grigorieva.
Përveç punimeve të ekspozuara, si një traditë botërore, artistët do të pikturojnë në galeri përpara publikut, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik.
Top Channel