
Në Kukës, kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, prezantoi programin elektoral, ku në fokus janë shëndetësia dhe shtresat në nevojë.
“Fokusi jonë është luftë ndaj kancerit dhe mjerimit. Ky është misioni jonë. Janë 80 mijë të sëmurë me kancer në Shqipëri. Prej 20 vitesh në qeveri Berisha dhe Rama, askush nuk investoi për këto persona. Janë 1 milion shqiptar të varfër. Thonë do futemi në Europë, si do hymë në Europë. Po të mos i mbajë emigracioni Kukësin dhe Hasin çfarë jetese do kishin bërë”.
Kreu i PSD i bëri thirrje banorëve dhe kuksianëve në diasporë që të votojnë kandidatin për deputet në këtë qark, Astrit Cengu.
“Ju e shihni sot presionin që bëhet në administratë që të mos na votojnë ne. Nuk duan ta lënë të lirë qytetarin që të votojë. Duan të votojnë Astritin dhe jo Ed Shalsin sepse Ed Shalsi nuk ka lidhje me Kukësin. Më mori një natë Ed Shalsi në telefon dhe i thashë Edi çfarë do ti në Kukës e Has, ty të duhet përkthyes atje se nuk të marrin vesh. Edhe ky tjetri që është në listë të PD, çfarë ka bërë për Kukësin, a ishte deputet. Ai e ka blerë mandatin sepse Berisha në listë të mbyllur i ka kërkuar lekë për të mbajtur partinë. Ju që jeni këtu, bashkë me njerëzit që keni në Diaspora të kontribuojnë të gjithë dhe të votoni numrin 11, PSD dhe Astrit Cengun”.
I bindur për marrjen e një mandati, kandidati Cengu kërkoi votat e banorëve të qarkut të Kukësit.
“Kërkoj mbështetjen e kuksianëve, hasjanëve, tropojanëve dhe kërkoj edhe mbështetjen e kosovarëve që kanë pashaportizimin në Kukës. Këto zgjedhje për qarkun e Kukësit do të jenë surprizë për PSD me një fitore të thellë”.
Për kuksianët, tani është momenti për të zgjedhur përfaqësues në Parlament, një banor të Kukësit që jeton dhe punon me ta.
PSD synon që, përmes zgjedhjeve të 11 majit, për herë të parë të sigurojë një mandat edhe në qarkun e Kukësit.
Top Channel