
Figurat e shquara të kombit shqiptar, të cilat ndërtuan themelet e gjuhës shqipe dhe më pas u zhytën në harresë, burgime dhe internime, u rikujtuan përmes një ekspozite të çelur në “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër.
Ekspozita me titull “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve të tyre” sjell në dritë të vërtetat e heshtura për dekada rreth At Gjergj Fishtës, Mithat Frashërit, Lef Nosit dhe shumë figurave të tjera historike.
Pjerin Mirdita, drejtues i Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, tha: “Trajton përndjekjen që kanë pësuar të gjithë ata persona që kanë qenë të angazhuar në hartimin e alfabetit shqip. Janë figura të ndritura të historisë shqiptare. Të mos harrojmë se Lef Nosi është ekzekutuar me pushkatim, bashkë me At Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. E njëjta gjë ndodhi edhe me At Gjergj Fishtën.”
Historianët theksojnë se regjimi komunist jo vetëm që i persekutoi fizikisht këta figura, por u përpoq të zhdukte çdo gjurmë të kontributit të tyre. Fotografi të retushuara dhe dokumente të ndryshuara janë prova të manipulimit të qëllimshëm të historisë.
Një tjetër përfaqësues i ekspozitës u shpreh: “Shumë foto janë retushuar duke i eliminuar këta persona nga momentet historike në të cilat ata ishin të pranishëm. Po ashtu, dokumente zyrtare janë tjetërsuar. Me ardhjen e komunizmit, gjithçka, sipas tyre, duhej të niste nga viti zero. Historia, sipas ideologjisë së tyre, ishte vetëm ajo që shkruhej prej tyre. Pasojat e kësaj Shqipëria i ndjen edhe sot.”
Ekspozita u realizua nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, dhe po tërheq interesin jo vetëm të qytetarëve, por edhe të turistëve të huaj që vizitojnë qytetin.
Top Channel