Shqipëria në sytë e vizitorëve! 400 fotografë dhe videografë nga 36 vende të botës konkuruan në “Wanderlust Albania”, shpallen fituesit

25/04/2025 15:37

Fotografia është profesion, por e ndërthurur me udhëtimet në atraksionet e preferuar shndërrohet në pasion frymëzim.

Kështu mes planeve për të vizituar Shqipërinë në çdo cep të saj dhe dëshirës për të fokusuar në objektivin e aparatit peizazhet më të bukura 400 fotografë dhe videografë profesionistë dhe amator nga Shqipëria dhe 36 vende të botës u bënë pjesë e edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”.

Përmes imazheve dhe filmimeve, shpaloset Shqipëria e para në sytë e vizitorëve, me bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë kulturore e historike.

“Tashmë Shqipëria nuk është thjesht një destinacion turistik që po zbulohet, por është një frymëzim që po shpërndahet dhe po përjetohet globalisht. Pjesëmarrja e gjerë në këtë konkurs tregon se jo vetëm interesi ndaj Shqipërisë turistike është rritur me ritme të shpejta, por është rritur edhe angazhimi ndërkombëtar në promovimin e Shqipërisë turistike”, u shpreh drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela.

Juria ndau 40 çmime në kategortë Peizazh; Monumente dhe Site arkeologjike; Folklor; Artizanati dhe Zejtaria; Agroturizëm dhe Kulinari; Ekoturizmi dhe Turizmi sportiv; Arkitekturë.

“Unë jam udhërrëfyese turistike prej 5 vitesh dhe udhërrëfyesi në vetvete është promovues i turizmit të Shqipërisë. Unë bëj atë që dua më shumë, të promovoj Shqipërinë tonë të bukur”, rrëfeu Melisa Shabani, fituese e çmimit të publikut.

Risi e këtij edicioni ishte kategoria CGI, ku integrohet arti dixhital dhe animacioni. Fituesi i këtij çmimi tregon teknikën e përdorur.

“Kemi produkte të ndryshme sikurse janë programet 3D dhe programet vizuale, e gjitha puna integrohet për të sjellë atë videon ku është Tirana kryeqyteti shqiptar dhe shqiponja”, tregoi fituesi i çmimit në kategorinë “CGI”, Igli Mjalti.

Një pjesë e fotografive dhe video reels do t’i shtohen fondit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ndërsa organizatorët ju ftojnë të udhëtoni gjithnjë me zemër të hapur dhe kamerën ndezur.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta