
Drejtuesi politik i PD në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu ka reaguar sërish pas njoftimit të policisë se së bashku me nipin e tij kishin dhunuar një 33-vjeçar, punonjës të njësisë administrative të Ostrenit, pas një takimi elektoral të mbajtur në këtë njësi.
Ai shprehet se në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.
Sipas Mziut, “kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë”.
Postimi i plotë:
Vijojnë sulmet dhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit me shpërndarjen dhe manipulimin e opinionit publik, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.
Kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë!
Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!
Apeloj mediat të bëjnë saktësimin e nevojshëm dhe të mos përdoren nga fabrikimet kriminale të Rilindjes! Apeloj SPAK-un që të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike! Edhe njëherë garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe Policisë së Shtetit nuk do të na trembin e as nuk do të na ndalin drejt fitores së sigurt më 11 maj!
Top Channel