Drogë me postë nga SHBA! Shpërndante lëndë narkotike në Tiranë, arrestohet italiani që do bëhej dentist

23/04/2025 15:00

Ky që shihni në këtë foto është 23-vjeçari Manuel Morella nga Italia.

Ai prej muajsh jetonte në Tiranë, ku vazhdonte studimet e larta në një universitet privat për t’u bërë stomatolog. Por, përveç studimeve, ai ishte i përfshirë edhe në një aktivitet tjetër: atë të shitjes së drogës, të cilën e siguronte nga SHBA.

Ai u arrestua këtë të mërkurë, teksa tërhiqte një pako në postë, brenda së cilës kishte rreth gjysmë kilogrami kanabis me përqindje të lartë THC, që në treg kapte vlerën e rreth 20,000 euro. Në banesën e tij, policia gjeti edhe një pako të dytë, si dhe shuma të konsiderueshme parash.

Mbërritja e këtij kanabisi me postë në Shqipëri është shndërruar në fenomen. Vetëm në muajt e fundit, policia e Tiranës ka evidentuar 11 raste dhe ka sekuestruar rreth 10 kg kanabis.

Burime të sigurta pranë bluve thanë për Top Channel se në mbi 90% të rasteve, droga që mbërrinte në Shqipëri brenda pakove postare nisej nga shtete të ndryshme të SHBA-ve, por kryesisht nga Çikago. Megjithatë, ka pasur raste kur dërgesa me drogë është nisur edhe nga Kanadaja apo Tailanda.

Për të fshehur gjurmët, trafikantët e nisnin pakon me lëndë narkotike në emrin e një personi që kishte ndërruar jetë, apo duke përdorur mjete identifikimi të vjedhura.

Në këto operacione, në pranga kanë rënë 15 persona.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta