
Top Channel bashkëpunon me sondazhistin që parashikoi rezultatin e Donald Trump në presidencialet e SHBA-së dhe sot publikohen parashikimet e para për zgjedhjet e 11 majit.
Fillimisht, CEO i McLaughlin & Associates, John McLaughlin, në një lidhje direkte nga SHBA për “Top Story” tregoi se si ka parashikuar me ekzaktësi rezultatin e zgjedhjeve kur Donald Trump garonte përballë Hillary Clinton.
Duma: Është e vërtetë ajo që shkruajnë për ju që 10 ditë para garës përballë Clintonit parashikuat ekzaktësisht numrat?
McLaughlin: Po, e vërtetë. Ishte zgjedhje e polarizuar. Rezultatet ishin shumë të afërta. Kishte mundësi që Trump të fitonte. Ai nuk fitoi votën popullore, po mori mazhorancën elektorale. Në 2024 ishim me fat që fituam të gjitha shtetet që ishin shtetet e lëkundura dhe ia dolëm me sukses
Duma: Sa e vështirë është të punosh me Trump?
McLaughlin: Më duket shumë e thjeshtë, ai nuk është politikan, është biznesmen, kur thotë diçka flet me tërë mend. Kur angazhohet, e mban fjalën. Është një president unik në historinë amerikane dhe në historinë botërore.
Duma: Vijon Trump të masë me sondazhe efektin e vendimmarrjeve të tij tronditëse në botë?
McLaughlin: Në përgjithësi vepron sipas mendimit të tij dhe është në kontakt të afërt me klasën punëtore. Ka marrë vendimet që s’ka taksim për bakshishet, as për punën pas orarit. Vendos politikat sipas mendimit të vetë, sikurse politikat tregtare apo emigracioni. Beson se kjo është gjëja e duhur dhe e di se pjesa më e madhe e amerikanëve janë dakord me të. Janë ligje për të mbështetur popullin amerikan.
Top Channel