SHBA-Iran, progres në bisedime/ Përparojnë negociatat për programin bërthamor të Teheranit

20/04/2025 22:26

Pas katër orë diskutimesh në Romë, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit ranë dakord që gjatë javës së ardhshme të mbajnë raund tjetër bisedimesh rreth frenimit të programit bërthamor të Republikës Islamike.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Arakçi dhe emisari presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, negociuan në mënyrë indirekte, nëpërmjet një zyrtari nga Omani.

Pas përfundimit të bisedimeve, Arakçi ka njoftuar se rundi tjetër do të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme.

“Ishte takim i mirë, si edhe ai i mëparshmi. Mund të them se negociatat po ecin përpara. Kësaj radhe, arritëm të kuptojmë më mirë disa parime dhe synime. Në fund ramë dakord që bisedimet të vazhdojnë dhe të hyjmë në fazën tjetër ku do të fillojnë takimet e ekspertëve. Duke filluar nga kjo e mërkurë, takimet teknike në nivel ekspertësh do të fillojnë në Oman”, ka njoftuar Arakçi.

Pas këtyre takimeve në nivel ekspertësh, të shtunën e ardhshme do të mblidhet niveli më i lartë për të rishikuar punën e tyre.

Teherani zyrtar pati njoftuar se pritshmëritë që të arrihet një marrëveshje e shpejtë nuk duhet të jenë të mëdha. Autoriteti më i lartë i Iranit, udhëheqësi suprem, Ajatollahu Ali Khamenei, pati thënë këtë javë se nuk ishte as tepër optimist dhe as pesimist sa u përket këtyre negociatave.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar vazhdimisht që Irani t’i ndalojë armët bërthamore dhe ka paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, atëherë ai do të ndërmarrë veprime ushtarake.

 

 

Top Channel