
Në mbarë Shqipërinë, qindra besimtarë ortodoksë janë mbledhur për të përkujtuar të Premten e Madhe, ditën kur sipas traditës fetare përkujtohen vuajtjet, kryqëzimi dhe vdekja e Jezus Krishtit.
Ceremonitë dhe procesionet tradicionale janë mbajtur në disa qytete të vendit, duke sjellë një atmosferë reflektimi, paqeje dhe përgatitjeje shpirtërore për Pashkët.
Në Katedrën Ortodokse në Tiranë, besimtarët u mblodhën për të ndezur qirinj dhe për të dërguar lutje. Procesioni solemn, i ndjekur nga klerikë dhe besimtarë, nisi nga katedralja në Sheshin “Skënderbej” dhe përfundoi sërish në kishë, duke sjellë një ndjesi solemniteti dhe përkushtimi shpirtëror.
Në Korçë, ceremonia u zhvillua në sheshin përpara Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ku epitafet e kishave të qytetit u bashkuan në një procesion të përbashkët që përshkoi bulevardet kryesore. Besimtarë të shumtë morën pjesë në këtë parakalim simbolik, duke mbajtur qirinj dhe duke përçuar mesazhe të ringjalljes dhe shpresës.
Edhe në qytetin bregdetar të Vlorës, ceremonia u zhvillua sipas traditës së përvitshme. Pas riteve liturgjike në Kishën e Shën Todrit, epitafi doli në orën 19:30 nga Kisha, i shoqëruar nga dhjetëra besimtarë dhe nga Banda Frymore e qytetit.
Në Durrës, ceremonia u mbajt në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, ku pas meshës dhe riteve liturgjike, u zhvillua procesioni i epitafit. Besimtarët përshkuan rrugën kryesore të qytetit në heshtje, me qirinj në duar, duke përcjellë mesazhe të thella besimi dhe shprese.
Top Channel