
Martesa e Alec Baldwin me gruan e tij, Hilaria, thuhet se po kalon një krizë serioze, me raporte që flasin për shqetësime të forta nga ana e aktorit, i cili mendon se ajo po e poshtëron publikisht.
Së fundmi, mes tyre ka ndodhur një ngjarje e sikletshme para kamerave, ku gruaja dukshëm e acaruar e qorton se e kishte ndërprerë teksa fliste. Madje, pas momentit të sikletshëm, ajo e ka “detyruar” t’i kërkojë falje me një video në rrjetet sociale. Sipas burimeve të Radar Online, aktori 67-vjeçar është gati t’i japë fund lidhjes së tyre, pas ofendimeve që e shfaqin atë si një bashkëshort të dobët dhe të nënshtruar.
Baldwin duket se e ka humbur durimin me Hilarian, e cila, siç raportojnë të njëjtat burime, gëzon publicitet dhe kërkon të bjerë në sy. “Alek po mundohet ta marrë me të lehtë, ta përballojë me buzëqeshje, por brenda tij po zien”, tha një person i afërt i çiftit. I njëjti burim shtoi: “Hilaria po e ul atë dhe duket se kënaqet kur e nënçmon publikisht”.
Publikimi pohon gjithashtu se protagonistja e njohur nuk ishte asnjëherë entuziaste për idenë e reality show-t familjar që ata kanë nisur, një projekt që siç raportohet nuk u prit me ngrohtësi as nga publiku dhe as nga kritika. “Ai e bëri për Hilarian”. “Ajo dëshiron shumë më tepër sesa ai të jetë në qendër të vëmendjes”, tha burimi.
Baldwin thuhet se donte të shmangte çdo ekspozim, veçanërisht pas aventurës së tij ligjore për vrasjen fatale të kineastes Halina Hutchins në vitin 2021, në xhirimet e filmit “Rust”. Edhe pse përfundimisht ai u lirua nga akuza për vrasje nga pakujdesia, ngjarja tragjike e ka plagosur atë. “Edhe nëse ai përfundimisht u shpall i pafajshëm, është diçka që do ta ndjekë atë për pjesën tjetër të jetës së tij”, theksoi burimi.
Pak javë më parë ka ndodhur një moment i sikletshëm gjatë një interviste mes Alec Baldwin dhe bashkëshortes së tij Hilaria, kur 41-vjeçarja dukej e mërzitur nga ndërhyrja e të shoqit. Ngjarja është regjistruar në një intervistë që ata kanë dhënë për “ExtraTV”, në kuadër të një eventi për rihapjen e Planet Hollywood në Times Square të Nju Jorkut.
Hilaria Baldwin u pyet për mundësinë e një sezoni të dytë të serialit realitet “The Baldwins”, i cili përshkruan jetën me shtatë fëmijët e tyre. Gjatë përgjigjes së saj, Alec Baldwin e ndërpreu atë, duke bërë që ajo ta qortonte para kamerave. Një klip i momentit u publikua në TikTok, ku përdoruesit komentojnë dinamikën e çiftit në paraqitjen e tyre publike.
Fillimisht, aktori 66-vjeçar kishte bërë një ndërhyrje, duke e ngacmuar: “Shfaqja e Hilarias”, tha ai dhe ajo nga ana e saj u përgjigj: “Mendoj se do të shohim… Do të shohim se si është ta ndash me botën”. Alec Baldwin e ndërpreu përsëri, duke i thënë: “Do të jetë mirë. Ti je një fituese”, gjë që me sa duket e mërziti gruan e tij, e cila u kthye nga ai dhe i tha me inat: “ O Zot. Kur të flas unë, ti nuk do të flasësh. Baldwin kishte kërkuar falje, por ajo e kishte përsëritur fjalinë e saj, duke ngritur duart lart.
Top Channel