
Zv/Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkovic, i cili është njëherësh edhe përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të agresionit të NATO-s në Serbi.
BDI ka publikuar foto nga eventi, ndërsa e quan akt të turpshëm dhe provokim të hapur praninë e tij krah presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik.
“Turp dhe provokim – Qeveria në krah të Dodikut në Beograd
Zëvendëskryeministri përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, sonte në Beograd me Dodikun dhe Nikoliqin në përkujtimin e përvjetorit të “agresionit të NATO-s” në Serbi.
Një akt i turpshëm dhe një provokim i hapur ndaj orientimit euro-atlantik të vendit. Qeveria tregon edhe një herë fytyrën e saj të vërtetë, duke u rreshtuar me ata që mohojnë gjenocidin dhe kundërshtojnë perëndimin”, ka shkruar BDI.
Më 24 mars të vitit 1999, NATO filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Top Channel