
“15 Ditë Prill” është shfaqja që i flet të shkuarës por bazohet te e tashmja, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen.
Vepra e Anisa Markarian vjen në skenën e teatrit nga regjisorja Driada Dervishi, që për gati 100 minuta përshkruan festimet diktatorit.
Një qytet-bunker, që pretendon të mbrojë, por në të vërtetë asfikson personazhet…
“Kur bie Urthi dhe banorët e Urthit (të burgosurit) shohin për herë të parë horizontin zbulojnë se bota vazhdon. E dyta, i bëjmë pyetje vetes përpara kësaj lirie që kemi para syve, duhet të gëzojmë apo të shqetësohemi. Është një dilemë e madhe sepse edhe demokracia është një bisedë për t’u fituar“-shprehet shkrimtarja Anisa Markarjan.
15 Ditë Prill në fakt i takon një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.
“Është një teatër një përcjell mjaft satirën, parodinë, por nga ana tjetër është një teatër social me nota politike. Shpresoj që një shfaqje teatri mund të ndikojë jo vetëm për të reflektuar, por edhe për të ndryshuar. Dhe secili në miniuniversin e tij, mund të bëjë diçka për të ndryshuar gjëra që kemi 35 vite që presim t’i ndryshojmë për mirë“-shprehet regjisorja Driada Dervishi.
Skenarit dinamik, skenografisë së pasur dhe efekteve të shumta u japin jetë 12 aktorët që interpretojnë plot 50 role. Qytetarë, zyrtarë, artistë e intelektualë, që e kanë të ndaluar të vërtetën. Ndaj për Ida Raez fundi është tragjik.
“Ida për kohën do të quhej rebele dhe kështu e pëson sepse do të thotë të vërtetën me çdo kusht. Dhe në një kohë kur e vërteta e vetmja quhej vetëm ajo e partisë, ishte e vështirë dhe prandaj personazhi e pëson“-shprehet aktorja Alesia Xhemalaj.
Një udhëtim që zgjon kujtesën dhe të fton të reflektim, shfaqja u pëlqye nga publiku, që mbushi sallën e Teatrit Kombëtar këtë fundjavë.
Top Channel