
“Koncerti” ishte shfaqja që mbushi sallën e Teatrit Eksperimental këtë fundjavë. E bazuar në romanin “Një engjëll veshë me frak” të autorit Stefan Çapaliku, vepra vjen nën regjinë e Giacomo Pedinit.
Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë, kur një burrë me emrin Pol Gjakova humb jetën pasi bie nga ballkoni. Ishte vrasje apo vetëvrasje?
Helidon Fino, aktor: “Unë luaj rolin e Pol Gjakovës, që është emri artistik i Prenk Jakovës. Është mision që ne t’i kthejmë personalitete të tilla, të japik jo vetëm historikun por edhe të vërtetat e mëdha të një personaliteti gjenial, krijuesit të operës më të famshme shqiptare në ato vite”.
Çfarë do të thotë të bësh art në diktaturë? Personazhet kërkojnë të ndihen sërish artistë. Dëshirojnë lirinë, ashtu si Klara që do të vërë në vend dinjitetin e saj.
Ilirda Bejleri: “Më vjen mirë që e tregoj këtë histori bazuar në një personazh të vërtetë. Fundja aktori këtë detyrë ka, të tregojë bukur një histori dhe të bëjë publikun të reflektojë. Në realizimet e personazhit tim dhe të personazheve të tjerë të veprës, i kemi mëshuar vështirësive, dramave që ka një artist dhe individi në tërësi dhe mendoj se kjo gjë është e paktë”.
“Koncerti” rikthen në skenë finalistin e “Big Brother VIP 4”, aktorin Laert Vasili që tregon me emocione për publikun e ri të gjeti në sallë.
Momenti kur nëna i jep lule e përqafon, e përqafojnë dhe të tjerë
Laert Vasili, aktor: “Është njësoj si të kthehesh në shtëpi. Është njësoj si ajo kënga që thotë pragu i vegjëlisë, u ktheva prapë te ky prag i dashur që është teatri. Shumë njerëz kanë ardhur për herë të parë në teatër, që janë mbështetësit që kisha gjatë Big Brother VIP. Çdo njeri i shtuar në publik për ne është vlerë e madhe”.
Top Channel