Deklaratat e Trump për ta aneksuar, Groenlanda mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare

11/03/2025 12:48

Në Groenlandë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbizotëruara nga pyetjet mbi marrëdhëniet e ardhshme me Danimarkën dhe SHBA-në.

Këto zgjedhje kanë tërhequr vëmendje globale pas deklaratave të përsëritura të Donald Trump-it për të blerë territorin autonom, madje duke përdorur forcën ushtarake dhe ekonomike nëse është e nevojshme.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, postoi një mesazh në rrjetet sociale duke “uruar të gjithë në Groenlandë për një ditë të mbarë zgjedhjesh.”

Qendrat e votimit janë hapur në orën 9:00 me orën lokale (11:00 GMT), dhe votimi do të vazhdojë deri në orën 20:00 (22:00 GMT). Nuk ka sondazhe, dhe pritet që rezultatet të dalin gjatë natës.

Me një elektorat prej rreth 40,000 votuesish nga një popullsi prej 57,000 banorësh, diferencat janë të vogla dhe 31 vende në parlamentin grenlandez, janë për tu plotësuar.

Në garë janë gjashtë parti. Partia më e madhe që hyri në zgjedhje ishte “Inuit Ataqatigiit (IA)”, me 12 vende në Parlament, e udhëhequr nga kryeministri Múte Egede, i cili drejtoi koalicionin qeverisës.

Partia e dytë më e madhe është “Siumut”, e drejtuar nga Erik Jensen, me 10 vende. Për dy vitet e fundit, këto dy parti kanë qenë në një qeveri koalicioni. Para kësaj, IA ishte në koalicion me “Naleraq”, një tjetër nga aktorët kyç në zgjedhje.

Me katër vende në parlament, “Naleraq” është partia më e madhe opozitare që po hyn në zgjedhje. E drejtuar nga Pele Broberg, një ish-ministër i qeverisë, kjo parti ka fituar mbështetje me premtimin e saj për të mbajtur një votim të parakohshëm mbi pavarësinë. Ajo është partia më e hapur ndaj bashkëpunimit me SHBA-në.

Pavarësisht dramës së jashtme rreth Trump-it, temat kryesore të zgjedhjeve kanë qenë ato të zakonshmet brenda vendit: ekonomia, mirëqenia sociale, krijimi i vendeve të punës, shëndetësia, arsimi dhe peshkimi.

Pavarësia dhe marrëdhëniet me Danimarkën dhe SHBA-në janë gjithashtu çështje të zakonshme në zgjedhjet groenlandeze – por këtë herë, votuesit dhe politikanët kanë pasur presionin shtesë të vëzhgimit dhe komenteve nga e gjithë bota.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta