Avioni i British Airways humbet 8 mijë metra lartësi në 7 minuta, bën ulje emergjente në Heathrow
Shkrimtari britanik Geoffrey Archer, një nga autorët më të suksesshëm komercialisht të dekadave të fundit dhe ish-zyrtar i Partisë Konservatore, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Sipas shtëpisë botuese HarperCollins, Archer ndërroi jetë “papritmas dhe në paqe” në shtëpinë e tij. Romani i tij i fundit, “Adami dhe Eva”, pritet të publikohet më vonë gjatë muajit tetor.
Archer kishte qenë deputet konservator për pesë vjet dhe më pas zëvendëskryetar i Partisë Konservatore. Në mesin e viteve 1980, ai shërbeu si një zyrtar i lartë nën kryeministren Margaret Thatcher.
Paralelisht me karrierën politike, Archer ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në letërsi. Librat e tij janë shitur në më shumë se 300 milionë kopje në mbarë botën. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Not a Penny More, Not a Penny Less” dhe “Kane & Abel”. Në vitin 1992, Archer u emërua anëtar i përjetshëm i Dhomës së Lordëve.
Dënimi që shënoi karrierën politike
Karriera politike e Archer pësoi një goditje të rëndë në vitin 2001, kur ai u dënua për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë dhe u dërgua në burg.
Çështja lidhej me një padi për shpifje që ai kishte ngritur kundër gazetës “The Star” në vitin 1988. Në atë proces, Archer ishte kompensuar me 500 mijë paund, por një gjykatë më vonë zbuloi se ai kishte gënjyer gjatë gjyqit.
Ai u dënua me katër vjet burg dhe u lirua në vitin 2003. Më pas u rikthye në Dhomën e Lordëve, ku qëndroi deri në daljen në pension në vitin 2024.
Legendary author and ex-MP Jeffrey Archer dies suddenly aged 86 https://t.co/XevwXRyp9N
— The Sun (@TheSun) October 5, 2026
Archer kishte vijuar të ishte aktiv deri në ditët e fundit të jetës. Të dielën, ai mori pjesë në një aktivitet me lexues në Londër, ku foli edhe për romanin e tij të fundit, “Adami dhe Eva”, që pritet të publikohet në tetor.
Prezantuesi dhe autori Giles Brandreth, i cili ishte i pranishëm në aktivitet, tha se Archer ishte në humor të shkëlqyer dhe kishte treguar se libri i ri do të ishte vepra e tij e fundit.
Liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, tha se ishte thellësisht e tronditur nga vdekja e Archer, duke treguar se kishte marrë një mesazh prej tij vetëm të hënën në mëngjes.
Edhe ish-ministri konservator Nadim Zahawi i bëri homazhe, duke e cilësuar Archer si një “njeri të jashtëzakonshëm” dhe duke vlerësuar talentin e tij për rrëfim, humor dhe energji.
Kate Elton, botuesja e Archer dhe drejtoresha ekzekutive e HarperCollins UK, tha se puna me të ishte një nga përvojat më të rëndësishme të jetës së saj profesionale. Ajo e përshkroi Archer si një shkrimtar jashtëzakonisht të zellshëm dhe një bashkëpunëtor “ëndrrash” për çdo botues.
Top Channel