
Qëndrimi i dy astronautëve të NASA-s në hapësirë do zgjaste vetëm një javë, megjithatë, kapsula që i mbante pati probleme pas mbërritjes në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, duke i lënë “të burgosur” mes yjeve për 9 muaj.
Astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams po përgatiten të kthehen në Tokë pas nëntë muajsh në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, në pritje të mbërritjes së zëvendësuesve të tyre javën e ardhshme. Nisja e tyre është planifikuar për në fund të marsit.
Dy astronautët do të udhëtojnë në një kapsulë të SpaceX së bashku me dy kolegët e tyre që udhëtuan drejt ISS në shtator. Duke folur nga stacioni hapësinor të martën, Williams tha se pjesa më e vështirë e misionit të zgjatur papritmas ishte pritja për të takuar familjet e tyre pas kthimit në Tokë.
“Ishte një udhëtim emocionues për ta, ndoshta më shumë se për ne”, tha kolegu i tyre.
Misioni i dështuar Starliner
Wilmore dhe Williams fillimisht ishin planifikuar të qëndronin në ISS për vetëm një javë kur u nisën në qershor në bordin e kapsulës së re Starliner të Boeing, testi i parë me ekuipazh i këtij lloji pas shumë vitesh. Megjithatë, kapsula pati shumë probleme me mbërritjen në ISS sa NASA e konsideroi të pasigurt për fluturimin me ekuipazh dhe e ktheu atë bosh në Tokë.
Kthimi i dy astronautëve u vonua më tej nga koha shtesë e nevojshme për të ndërtuar kapsulën e re të SpaceX, e cila do të kryente misionin zëvendësues.
Kthimi me ndryshime të detyruara në program
Më në fund, muajin e kaluar NASA vendosi të përdorë një kapsulë tashmë të testuar për misionin e radhës, duke përshpejtuar nisjen në 12 mars. Dy ekuipazhet do të qëndrojnë së bashku në ISS për rreth një javë, përpara se Wilmore dhe Williams të nisen së bashku me Nick Hague të NASA-s dhe Alexander Gorbunov të Agjencisë Hapësinore Ruse.
Pavarësisht qëndrimit të tyre të gjatë në hapësirë, dy astronautët kanë theksuar vazhdimisht se kanë qenë shëndetshëm dhe të përkushtuar ndaj misionit, për aq kohë sa ka qenë e nevojshme.
Top Channel