
Dy persona janë arrestuar në aksin rrugor “Kapshticë-Bilisht”, duke transportuar veshje kontrabandë nga Greqia.
Po ashtu janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të Degës Doganore Kapshticë për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Sekuestrohen veshjet, 2 automjete dhe 3 celularë. Top Channel mëson se janë proceduar shtetasit Dritan Çekanim, Vangjush Nole, Klodian Palloi dhe Renato Molla.
Gjatë kontrollit fizik policia gjeti mallra te llojit tekstile industriale, 1300 cope bluza/këmisha të llojeve dhe markave të ndryshme, 953 palë pantallona, 320 xhupa meshkujsh/femrash në total 2573 veshmbathje të ndryshme.
Njoftimi:
Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor “Mission failed”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
U kapën në flagrancë në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, duke transportuar me automjete, veshje të ndryshme që i kishin kontrabanduar nga Greqia, arrestohen 2 shtetas.
Procedohen penalisht 4 punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohen veshjet, 2 automjete dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mission failed”, për goditjen e një rasti në këtë fushë.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet me drejtues shtetasit L. N. dhe Xh. N. Gjatë kontrollit në këto 2 automjete, shërbimet e Policisë kanë gjetur veshje të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 24 vjeç dhe Xh. N., 24 vjeç, banues në Bilisht, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit D. Ç., 46 vjeç (Drejtor i Degës Doganore Kapshticë), V. N., 38 vjeç (përgjegjës turni), K. P., 45 vjeç dhe R. M., 40 vjeç (doganierë), pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallrave, sipas ligjit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel