Kosova feston 17 vjetorin e Pavarësisë, pas Trump vjen urimi edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit! Marco Rubio: SHBA mbështet rrugëtimin e vendit tuaj!

17/02/2025 09:58

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në mesazhin e tij thuhet se Shtetet e Bashkuara “e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”.

“Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës”, thuhet në mesazhin e sekretarit Rubio.

Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Aty thuhej se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
Kosovën e uroi edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke rikujtuar se shteti i tij, në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetësinë e saj.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit gjerman.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet”.

“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, thuhet në mesazhin e presidentit Macron.

Në mesazhin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, thuhet se vendi i tij “mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës” dhe se ai mbështet “përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.

“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë”, tha në mesazhin e tij të urimit mbreti britanik, Charles III.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë.

Vendi sot njihet nga më shumë se 100 shtete të botës, por nukë është ende anëtar i Kombeve të Bashkuara, apo i organizatave të tjera si Bashkimi Evropian e Këshilli i Evropës.

Për të avancuar drejt integrimit, Kosovës i duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë.

Dy vendet janë në negociata për rreth 14 vjet, por ende larg qëllimit përfundimtar. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA