![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-14-at-18.00.38-800x450.jpeg)
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka reaguar për gjendjen gjyqësore “i dënuar” të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Në njoftim SPAK sqaron se Veliaj ka tre vendime pafajësie, por në momentin e gjenerimit të certifikatës elektronike del me shënimin “i dënuar”.
SPAK thotë se i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në lidhje me pretendimet e shtetasit nën hetim E.V sa i takon gjendjes së tij gjyqësore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se:
Në kërkesën për “Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, me numër protokolli 2402, dt. 24.01.2025, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.
Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar.
Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se:
…çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.
Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Top Channel