![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/rama-veliaj_sd-800x450.jpg)
Një banesë u përfshi nga flakët në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës sot rreth orës 18:08 si pasojë e rrjedhjes së gazit.
Zjarri ra në banesën e 86 vjeçarit Piro Kristidhi pasi i moshuari nuk kishte arritur dot të kryente korrekt montimin e bombolës së gazit në sobën që përdorej për ngrohje. Në momentin që tentoi ta ndezë sobën banesa u përfshi nga flakët.
Në vendngjarje mbërriti një automjet zjarrfikës dhe u ndërhy për vënien nën kontroll të flakëve. I moshuari arriti të dilte në kohë nga banesa por për shkak të asfiksisë i është dashur ndihmë mjekësore dhe është shoqëruar për në spital.
Banesa e familjes Kristidhi është djegur pothuajse plotësisht por zjarrfikësit kanë parandaluar kalimin e flakëve drejt banesave fqinje.
Njoftimi i policisë:
Në katin e tretë të një pallati në lagjen “18 shtatori”, për shkak të shpërthimit të një bomble gazi ka rënë zjarr në banesën e shtetasit V. K.
Nga tymi janë asfiksuar çifti i të moshuarave P. K., dhe A. K., të cilët u dërguan në spital ku po marrin ndihmën mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e Policisë dhe evakuuan banorët e tjerë të pallatit.
Shërbimet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Top Channel