Zjarr pranë një pallati në Lushnje, tymi depërton në garazh, panik te banorët Gratë dominojnë universitetet dhe arsimin, por vazhdojnë të jenë më pak të pranishme në tregun e punës, paguhen më pak dhe mbajnë peshën kryesore të punëve të shtëpisë.
Kjo është tabloja që jep publikimi më i fundit i INSTAT, “Gratë dhe Burrat në Shqipëri 2026”. Në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte rreth 2 milionë e 336 mijë banorë: 50,6 për qind gra dhe 49,4 për qind burra. Gjatë vitit lindën 22 mijë e 541 fëmijë, 769 më pak se një vit më parë, ndërsa raporti ishte 108 djem për çdo 100 vajza.
Në arsim, vajzat përbënin 65,3 për qind të afro 29 mijë studentëve të diplomuar. Ato zgjodhën më shumë shëndetësinë, mirëqenien, biznesin dhe ligjin, ndërsa djemtë dominuan në inxhinieri dhe teknologjinë e informacionit. Gratë përbënin gjithashtu gati 80 për qind të mësuesve të arsimit 9-vjeçar, por vetëm 35,8 për qind të stafit akademik me titullin “Profesor”.
Pabarazia bëhet më e dukshme në tregun e punës. Shkalla e punësimit ishte 62,7 për qind për gratë, kundrejt 76 për qind për burrat. Papunësia te gratë arriti në 10,6 për qind dhe u rrit krahasuar me vitin 2024, ndërsa te burrat ra në 8,2 për qind. Një në katër gra të punësuara punonte pa pagesë në biznesin familjar. 15,1 për qind e grave deklaruan si veprimtari kryesore punët e shtëpisë, kundrejt vetëm 0,7 për qind të burrave. Hendeku në paga ishte 4,6 për qind në disfavor të grave.
Në vendimmarrje, gratë zinin 35 për qind të vendeve në Kuvend dhe drejtonin ose zotëronin 31,6 për qind të ndërmarrjeve aktive. Rreziku për varfëri ose përjashtim social ishte gjithashtu më i lartë për to: 41,5 për qind, përballë 39,4 për qind për burrat. Raporti evidenton edhe dhunën me bazë gjinore.
Gjatë vitit 2025 u regjistruan 1 mijë e 507 gra të dëmtuara nga dhuna në familje; 43,3 për qind e rasteve ishin në qarkun e Tiranës. Nga 40 vrasje me dashje, tetë lidheshin me marrëdhëniet familjare.
Top Channel