“Kokëçarje” ka sjellë në Eurogrupin e Demokracisë së Re eurodeputeti Fredi Beleri pasi ka marrë një iniciativë dhe veprim që nuk përputhej me atë të eurodeputetëve të tjerë koνσervatorë të Demokracisës së Re.
Në momentin e votimit për postin e zëvendëspresidentit në Komisionin Special “Mburoja për Demokracinë Evropiane” në Parlamentin Evropian ai ka vendosur që të votojë eurodeputetin qipriot Phidias Panagiotou.
Edhe pse eurodeputeti qipriot humbi mandatin nga një kandidat i socialistëve, reagimet nisën shpejt si nga brenda partisë së Fredi Belerit, ashtu edhe nga eurodeputetët e partisë SYRIZA.
Sidomos reagimet nga partia Demokracia e Re kanë qënë të menjëhershme pasi mënyra dhe veprimi i tij nuk u pranua nga deputetët e këtij grupi. Beleri në fillim i është përgjigjur reagimeve të eurodeputetëve të së Majtës greke me një postim të tij në rrjetin X ku shkruan duke justifikuar zgjedhjen e tij:
“Në mbledhjen e sotme të Komisionit Special të sapoformuar të Parlamentit Evropian “Mburoja për Demokracinë Evropiane”, u ngrit çështja e plotësimit të postit të zëvendëspresidentit. Nuk kishte asnjë kandidat nga Partia Popullore Evropiane. Unë zgjodha të mbështes deputetin e pavarur qipriot, Phidias Panagiotou, bazuar vetëm në origjinën e tij greke dhe asgjë më shumë. Komplekset e z. Arvanitis (eurodeputet I Syriza-s), as nuk më prekin dhe as nuk më shqetësojnë”.
Referenca nga Kostas Arvanitis u bë pasi eurodeputeti i SYRIZA-s pretendoi se Fredi Beleri mbështeti të zgjedhurin e Elon Musk, Phidias Panagiotou dhe rrjedhimisht të djathtën ekstreme. “Partneritet i Demokracisë së Re me të djathtën ekstreme në favor të Elon Musk në Parlamentin Europian”, ka deklaruar shprehimisht nga ana e tij Kostas Arvanitis.
Por pak më vonë , pas votimit, ashtu siç shkruajnë mediat greke, filluan të mblidheshin “re” mbi partinë e të djathëve grekë dhe eurodeputetja e Demokracisë së Re, Eliza Voseberg, Kryetare e Komisionit të Transportit dhe Turizmit mban distancë publikisht në X. Konkretisht ajo shkruan : “Propozimi i Fredi Belerit për qipriotin Phidias Panagiotou është zgjedhje e tij personale dhe nuk përshtatet në linjën politike të Eurogrupit”.
Pasoi përgjigjja e Fredi Belerit : “Dua të konfirmoj atë që thotë kreu i Eurogrupit tonë. Ishte një zgjedhje personale”. Ky “faull” i parë në eurogrupin e Demokraciës së Re dhe konkretisht me Fredi Belerin është pasqyruar nga të gjitha mediat greke.
Top Channel