Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Çorrush të Mallakastrës, ku dy vëllezërit Sabri dhe Novruz Velaj, përkatësisht 90 dhe 85 vjeç, janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre.
Të moshuarit, të cilët jetonin të vetëm, ishin të pamartuar dhe nuk kishin të afërm në fshat.
Sipas banorëve të zonës, dyshimet lindën pasi prej disa ditësh ata nuk i kishin parë vëllezërit dhe afër banesës ndihej një erë e rëndë. Banorët njoftuan kryeplakun e fshatit, Ismet Zenelaj, i cili mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes.
“U informova nga kryeplaku i lagjes, Bajram Allkaj, se një nga fqinjët kishte njoftuar për mungesën e vëllezërve prej një jave. Shkova në banesë dhe pashë nga dritarja me ndihmën e një shkalle. Njëri prej tyre ishte i shtrirë në korridor, ndërsa tjetri ndodhej në një dhomë, pjesërisht i zhveshur. Era e rëndë ndihej edhe jashtë, gjë që tregon se mund të kenë ndërruar jetë prej disa ditësh,” ka deklaruar Zenelaj.
Banesa ku u gjetën trupat e pajetë, ishte rikonstruktuar rreth tre vite më parë nga Bashkia Mallakastër. Të dy vëllezërit jetonin vetëm, duke u mbështetur në pensionet e pleqërisë.
Policia mbërriti në vendngjarje dhe ka nisur hetimet paraprake, ndërsa pritet grupi i ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së dy të moshuarve. Hetimet janë në vazhdim.
Top Channel