Hapen aplikimet për provimin e pranimit në shkollën e Magjistraturës, ja kriteret dhe vendet vakante

31/01/2025 17:57

Janë hapur aplikimet për provimin e pranimit në shkollën e Magjistraturës.

Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se numri i kuotave për vitin akademik 2025-2026 janë 10 vende vakante për profilin gjyqtar dhe
3 vende vakante për profilin ndihmës ligjor në gjykatë, 12 vende vakante për profilin prokuror, 3 vende vakante për profilin këshilltar ligjor në prokurori.

Po ashtu janë 7 vende vakante për profilin avokat shteti në nivel vendor, pranë ministrive/zyrave vendore.

Procesi i aplikimit nis në datë 1 shkurt dhe përfundon në datë 28 shkurt 2025.

Aplikimi do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik në platformën sipas linkut: smvshm.magjistratura.edu.al Gjithashtu, një kopje të dokumenteve të nevojshme për aplikim do të dorëzohen pranë sekretarisë së Shkollës së Magjistraturës.

KRITERET PËR KONKURRIM

Kriteret për konkurrim për kandidat për magjistrat janë të parashikuara në ligj nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,

Kriteret për konkurrim për ndihmës ligjor në gjykata janë të parashikuara në ligj nr. 98/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendim nr. 26, datë 29.01.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kriteret për konkurrim për këshilltar ligjor në prokurori janë të parashikuara në ligj nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Kriteret për konkurrim për avokatë shteti janë të parashikuara në ligj nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, i ndryshuar dhe në Vendimin e Avokatit të Shtetit, përcjellë Shkollës së Magjistraturës me shkresë nr.380/1 Prot, datë 31.01.2025 dhe janë si vijojnë:

Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u pranuar në formimin Fillestar për “Avokat Shteti”, nëse përmbush njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) ka zotësi të plotë për të vepruar;

b) është shtetas shqiptar;

c) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplomë universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4-vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;

d) ka notë mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë); për të diplomuarit “Jurist”, në programe në gjuhë të huaj jashtë vendit, parashikohet një koeficient vështirësie të barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike;

d/l) nota mesatare e përgjithshme del nga shumatorja e notave të të gjitha lëndëve të zhvilluara në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve e pjesëtuar me numrin total të tyre;

e) ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë si jurist, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;

f) nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të veprës se kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e avokatit të shtetit dhe dëmton rëndë besimin e publikut në administratën shtetërore dhe sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal;

g) nuk është larguar nga detyra ose nuk i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;

h) nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

i) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

j) nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete.

DOKUMENTET PËR APLIKIM

Në dosjen personale për regjistrim, kandidati duhet të plotësojë dhe ngarkojë elektronikisht në smvshm.magjistratura.edu.al dokumentet e mëposhtme origjinale ose kopje të noterizuara të tyre:

Kërkesën e aplikimit për profilin e zgjedhur si gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor, ndihmës ligjor dhe avokat shteti. Kërkesa plotësohet elektronikisht në formularin unik të platformës SMVSHM (Aneksi 1 )
Diplomat universitare dhe listat e notave për studimet që ka ndjekur;
Dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht, mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për njërën prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri për profilet gjyqtar dhe prokuror;
Jetëshkrimin;
Kartën e identitetit;
Vërtetim për gjendjen gjyqësore;
Raportin mjeko-ligjor;
Dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tri vitet e fundit;
Vërtetim nga punëdhënësi i fundit dhe/ose organet disiplinore që nuk është larguar nga detyra ose i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore;
Deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
Deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
Librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë, vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (nga e-albania nga viti 2012 e në vijim) që tregojnë kontributet e derdhura për shkak të punësimit në vite ose, kur është rasti detyrimet tatimore të derdhura në vite për shkak të zhvillimit të profesioneve të lira juridike.
Një fotografi;
Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 12.000 lekë. (Tarifa e rregjistrimit paguhet vetem 1 herë për të gjitha profilet)

UDHËZIME MBI MËNYRËN E APLIKIMIT

Klikohet në linkun smvshm.magjistratura.edu.al
Regjistrohet në platformë
Konfirmohet llogaria hyrëse dhe njoftohet me e-mail;
Aplikohet për regjistrim
Ngarkohet dokumentacioni
Dorëzimi elektronik
Dorëzimi i dokumentacionit të noterizuar fizikisht në Sektorin e Formimit Fillestar, pranë Shkollës së Magjistraturës.

Në fund të njoftimit gjendet video ilustruese të hapave të regjistrimit elektronik.

KUJDES! Regjistrimi do të konsiderohet i kryer në momentin kur kandidati të dorëzojë një kopje të noterizuar të këtij dokumentacioni në sekretarinë e Shkollës, pas ngarkimit të dokumentacionit në SMVSHM.

Dokumentet dorëzohen çdo ditë, nga data 1 shkurt deri në 28 shkurt 2025, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në orën 9.00-14.00.

Adresa e Shkollës së Magjistraturës: Rruga “Ana Komnena”, Godina “Poli i drejtësisë”, Tiranë, Shqipëri.

DATAT E PROVIMEVE

Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

FAZA E PARË

Datë 22 prill 2025, ora 8.00-13.00, Salla e Koncerteve, Pallati i Kongreseve, Tiranë.

FAZA E DYTË

Datë 24 dhe 25 prill 2024, ora 8.00-13.00, Holli kryesor i Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është i publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), historia e shtetit dhe të së drejtës, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA