EKSKLUZIVE/ “Fondet amerikane, SPAK nuk rrezikon”, ish-sekretari i OSBE, Greminger: Bllokimi vetëm në disa shtete, reforma nuk preket

31/01/2025 19:34

Ndërprerja tremujore e fondeve amerikane nuk ndikon në reformën në drejtësi në Shqipëri sipas diplomatit e ekspertit ndërkombëtar Thomas Greminger.

Në një intervistë për Top Channel, ish sekretari i OSBE në Vjenë, vlerëson se bllokimi i financimeve do të jetë në disa sektorë dhe jo për shtete specifike.

“Nëse i referohemi mënyrës së të menduarit brenda rrethit të Trump-it, nuk shoh ndonjë rrezik të madh për Spakun, për një nismë të rëndësishme si reforma në drejtësi. Mendoj se nuk është ndërprerje  për një vend të caktuar, por më tepër për fusha të veçanta. Çdo gjë që promovon diversitetin, çështjet gjinore, kontrollin e lindjeve – këto janë tema të ndjeshme për filozofinë ‘Make America Great Again’, mbi të cilën mbështetet Presidenti Trump. Kështu që në këto fusha pres shkurtimet më të mëdha të fondeve. Megjithatë, nuk besoj se do të shohim rajone të tëra të shkëputura nga financimet, përveç rasteve kur më vonë Presidenti Trump mund të vendosë se ato ‘po sillen keq’. Kjo mbetet një mundësi, por në afatin e shkurtër nuk shoh rrezik që vende të veçanta të përjashtohen plotësisht”, tha Thomas Greminger.

Në mendimin e ambasadorit Greminger, vemendja e Donald Trump  nuk do të jetë drejt Ballkanit, ndaj ai nuk ka pritshmëri për zhvillime të menjëhershme në lidhje me përparimin e dialogut Kosovë Serbi.

“Sipas perceptimit tim, Ballkani Perëndimor nuk është shumë lart në listën e prioriteteve të administratës së re. Kjo mund të shihet edhe si një lajm i mirë, pasi nuk do të ketë presion mbi ta. Nuk pres që Ballkani Perëndimor të jetë në qendër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Trump-it në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Nuk pres ndonjë nxitje për konfliktet në rajon, per dialogun Beograd Prishtine. Deri tani, nuk kemi dëgjuar shumë nga administrata e re në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet parë se kush në ekipin e Trump-it do të merret me Ballkanin Perëndimor. Përveç figurave kryesore rreth Presidentit, një rol të rëndësishëm do të kenë edhe stafi i nivelit të dytë, përfshirë ambasadorët. Do të jetë thelbësore se kush do të dërgohet në Tiranë, pasi kjo do të ndikojë në qasjen e politikës amerikane ndaj rajonit”, shton ai.

Ndërsa marrëdhëniet mes Europës dhe Shbave, diplomati zviceran i sheh të ndryshojnë me ikjen e presidentit demokrat Biden. Qasja duket të jetë me politika të paparashikueshme dhe retorikë më të ashpër.

“Sa i përket sigurisë evropiane, është e qartë se ai do të kërkojë që vendet evropiane të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre. Nuk mendoj se do të vërë në dyshim themelisht aleancën transatlantike apo NATO-n, por do të insistojë që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi financiare, gjë që mund të sjellë tensione. Por duhet të presim  deri në çfarë mase do të ketë një ndryshim real midis asaj që Presidenti Trump shpall dhe politikave konkrete që do të zbatohen. Është e rëndësishme të mos reagojmë me ngut ndaj deklaratave të tij, pasi shpesh ai përdor një qasje kërcënuese si strategji për të negociuar marrëveshje”, përfundon ai.

Ambasadori Greminger shfaq bindjen se me ndërhyrjen e Trump do të rikthehen bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë. Por arritja e një marrëveshje brenda 24 orësh sipas tij është e pamundur si dhe e rrezikshme.

“Është thelbësore që Presidenti Trump, çfarëdo që të ketë në plan të bëjë – dhe ai do të duhet të bisedojë relativisht herët me Presidentin Putin – ta konsultojë mirë këtë proces me ukrainasit dhe evropianët. Një hap i parë do të ishte arritja e një armëpushimi të negociuar, për të kaluar më pas drejt bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare. Është jetike që të sigurohemi se nuk do të përballemi sërish me një sulm rus kundër Ukrainës pas disa vitesh. Për këtë arsye, garancitë e sigurisë për Ukrainën janë absolutisht thelbësore. Mendoj se do të ishte e rrezikshme të besohej se një konflikt kaq i ndërlikuar mund të zgjidhet lehtë dhe shpejt”, përfundon Greminger.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA