Sannet e ka humbur kujdestarinë e dy fëmijëve të saj – të dy nën 12 vjeç – pasi është rimartuar.

Një gjykatë për familjen në rajonin rus të Kaukazit Verior ka marrë vendim në të mirë të ish-burrit të saj, i cili ka thënë se nuk dëshiron që fëmijët e saj të rriten me njerkun e tyre.

Rasti i Sannetit nuk është i pazakonshëm në këtë rajon konservator me shumicë myslimane, ku fëmijët konsiderohen shpesh si pronë e baballarëve të tyre apo familjarëve të babait.

Këto besime lokale ndeshen me ligjin rus. Megjithatë, ato formësojnë vendimet e gjykatësve, duke ua pamundësuar kujdestarinë shumë nënave, në rast të divorcit, martesës së dytë, apo nëse ato mbesin vejusha.

Gjatë seancës, Sannet ka thënë se gjyqtari dhe avokati i ish-burrit i kanë thënë hapur se ajo nuk ka të drejtë të kujdeset për fëmijët, sepse është martuar sërish.

“Edhe ish-burri është martuar përsëri, mirëpo askush nuk thotë se fëmijët nuk duhet të rriten me njerkë”, ka thënë Sannet, emri i së cilës është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin.

“Më kanë thënë se [për dallim nga rimartesa e nënës] rimartesa e babait nuk e ndryshon situatën, dhe që babai duhet t’i rrisë fëmijët”, ka thënë 31-vjeçarja që tani jeton në rajonin rus të Ingushetisë.

Gjykata ia ka garantuar Sannetit të drejtën për ta vizituar bijën e saj një herë në javë dhe të takojë të birin një herë në muaj. Mirëpo, Sannet ka thënë se ish-burri shpesh nuk e lejon t’i shohë fëmijët.

Ish-burri i Sannetit e ka çuar atë në gjykatë, duke i kërkuar të paguajë 260 dollarë për alimentacion. Paga mesatare në Ingusheti është në vlerën e 380 dollarëve amerikanë, sipas Shërbimit Federal për Statistika Shtetërore të Rusisë.

Gjyqtarë paragjykues
Numri i saktë i grave që kanë humbur kujdestarinë e fëmijëve në këtë rajon nuk dihet. Mirëpo, këso raste konsiderohen të jenë shumë të përhapura.

Më 2021, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut (ECHR) i ka urdhëruar autoritetet ruse që të ribashkojnë gruan çeçene, Luisa Tapayeva me katër fëmijët e saj të mitur, të cilat i ka marrë nën kujdes gjyshi nga babai, kur burri i saj ka vdekur.

Vjehrri i Tapayevas i ka thënë se fëmijët e saj “i takojnë” familjes së burrit. Pasi ka dështuar që të fitojë kujdestarinë e fëmijëve të saj në Rusi, Tapayeva e ka çuar rastin në ECHR.

Në vendimin e saj, ECHR ka thënë se ka pasur raste të ngjashme dhe në të kaluarën prej rajoneit rus të Kaukazit Verior, kryesisht në Çeçeni dhe Ingusheti.

Një avokat familjar në këtë rajon, që ka folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonime, ka thënë se shumë gjyqtarë në Çeçeni dhe Ingusheti “ndikohen” nga normat lokale, dhe i zbatojnë ato në vendime, në vend që të zbatojnë ligjin rus.

“Përfaqësuesit ligjorë të baballarëve në proceset gjyqësore e përmendin si arsyetim martesën e dytë të nënave, si kartë për të fituar rastin”, ka thënë shkurt avokati.

Sipas shumë studiuesve islamikë, nënat duhet ta gëzojnë kujdestarinë e fëmijëve të tyre nëse divorcohen dhe nuk martohen më. Baballarët duhet të ofrojnë mbështetje financiare për fëmijët e tyre, pavarësisht nëse martohen prapë, sipas studiuesve.

“Kur dëgjoj këso argumente, u them se kjo është gjykatë sekulare, dhe që ata duhet të shkojnë dhe të gjejnë ndonjë gjykatë islamike nëse duan që vendimi të bazohet në fe”, ka thënë avokati.

“Ata më thonë nëpër korridore se ‘nuk është traditë që fëmijët të mbesin nën kujdesin e nënës, nëse ajo martohet sërish’. Unë më pas i pyes se ‘a është traditë e jona që të marrin alimentacion prej nënës?’ dhe ata mbesin pa përgjigje”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA