FIKS FARE/ Rikthehet gjakmarrja në Dragoç, fisi i autorit të vrasjes i ngujuar! Babai i të ndjerit: Mos t’ju dëgjoj zërin

22/01/2025 20:51

Emisioni Fiks Fare solli fakte të pakundërshtueshme se familja Mataj ka ngujuar fisin Hasaj pas vrasjes së djalit të tyre.

Vetëm 20 ditë më parë në fshatin Dragoç të Shkodrës u vra 33 vjeçari Ramazan Mataj , nga Arjon Hasaj banor i të njëjtit fshat. Ky i fundit ka deklaruar pas arrestimit nga policia se e vrau 33 vjeçarin, pasi i kishte ndarë të motrën 2 herë nga burrat, pasi u dërgonte atyre video intime.

E ndërsa 2 vëllezërit Hasaj janë në burg, familja e tyre është e ngujuar. Fiksi solli dëshminë e babait të autorit, Rustem Hasaj, i cili tregon se familja e tij është e ngujuar dhe jo vetëm aq, por plotë 11 familje të fisit të tij janë të gjithë të ngujuar. “Para 3 ditësh më vdiq djali i xhaxhait , i kërkuam familjes së të ndjerit 3 ditë leje, që fisi të bënte varrimin, dhe ai na lejoi, por sapo u bënë 3 ditë të gjithë janë të mbyllur brenda” thotë Rustemi. Ai shpreh shqetësimin për 4 fëmijët e autorit, njëra prej tyre 8 vjeçare e cila është në klasë të dytë dhe nuk po shkonë në shkollë. “Nuk po shkon vajza në shkollë kemi frikë” thotë Hasaj.

Ndërkohë të njëjtin shqetësim ka edhe bashkëshortja e autorit, Ersilda Hasaj, e cila po kujdeset e vetme për 4 fëmijët e tyre. “Nuk kam ditur asgjë, bashkëshorti nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim, vajzën nuk po e çoj në shkollë sepse kam frikë” thotë e reja.

Gazetarët e Fiksit nuk ndaluan vetëm te njëra familje, por shkuan edhe te familja Mataj po në atë fshat. Fatmir Mataj, babai i viktimës pranon se nuk e lejon fisin Hasaj të dalë nga shtëpia. “Të mos mërzitet aq shpejt fisi Hasaj se mua më ka vdekur djali dhe nuk më kthehet më, mos t’jua dëgjoi zërin e gojës atyre, brenda do rrinë” thotë Fatmir Mataj.

Babai i viktimës pretendon se djali i tij po përflitet nëpër media si një individ që ka patur të gjitha fajet ai, ndëkohë nuk është kështu. “Djali doli të takonte një vajzë që i shkruante në internet, dhe u vra, vajza i ka nis dhe mesazhe zanore dhe ka qenë zë femre, ku është ky person që nuk arrestohet?” thotë Fatmiri.

I pyetur nga gazetarët për lejen 3 ditore që i dha fisit Hasaj për të bërë varrimin e të afërmit, ai tha se i vajti kryeplaku dhe i kërkoj leje, ndaj i lejoi.

Gazetarët takuan dhe kryeplakun, Caf Çela i cili tregoi se nëse do familja Mataj me e fal fisin Hasaj e fal, nëse nuk do nuk e fal. “Unë shkova në shtëpinë e viktimës dhe kërkuam 3 ditë leje meqë në fisin Hasaj kishte vdekur dikush dhe na u dha leja, por vetëm 3 ditë dhe u mbyllën brenda sërish” thotë Çela.

Për kryeplakun hapi i radhës do jetë që gjithë fshati t’i kërkojë familjes Mataj ta fali fisin Hasaj, të paktën fisin. Sepse familjen ata nuk e falin. Ndërkohë pranon se e di dhe policia situatën mes familjeve. Pra institucionet shtetërore janë në dijeni dhe nuk reagojnë për këtë vetëgjyqësi të paralajmëruar.

 

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA