SPAK po heton “21 Janarin”/ Pas 6 muajsh ende nuk ka të regjistruar emrat e autorëve të vrasjeve në bulevard

21/01/2025 15:39

Pas urdhrit të Strasburgut për të hetuar 21 janarin, drejtësia do ta ketë rrugën e gjatë për ta zbardhur derisa të mbërrijë këtu në sallën e Gjykatës së Posaçme.

Kjo pasi gjatë këtyre gjashtë muajve prokuroria e posaçme vazhdon hetimet dhe  ta ketë çështjen të regjistruar vetëm sipas akuzave të denoncuara nga familja Nika. Ende nuk ka emër konkret personi nën hetim.

Si një çështje nën hetim për vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe  veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, për 21 janarin nuk janë thirrur ende nga SPAK tre të denoncuarit.

Siç bëhet me dije nga grupi i hetimit, pyetja e të kallëzuarve  që janë ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi do të kryhet vetëm mbasi të mbyllet marrja e dëshmisë së dhjetëra personave të tjerë, disa protestues, të plagosur, gazetarë, punonjës të Gardës dhe organizatorë të protestës.

Deri më tani mes dëshmive më të rëndësishme janë pyetja si deklarues i ish drejtorit të përgjithshëm të policisë në atë kohë në detyrë Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kulicaj, drejtori i policisë së Tiranës Samir Muca.

Si edhe e Saimir Tahiri në cilësinë e ish drejtuesit politik të PS për Tiranës gjatë kohës kur u thirr protesta e 21 janarit, që u mbyll me katër protestuesit e vrarë.

Po ashtu ish komandanti Ndrea Prendi nuk është pyetur ende për 21 janarin, ndonëse ai ka qenë në këto ambiente siç rezulton ka dhënë deklarime për një tjetër dosje.

Për shkak se ish komandanti i Gardës rezulton së bashku me ish gardistin Agim Llupo, rezultojnë të dënuar për vrasjet e protestuesve Ziver Veizi e Faik Myrtaj, pozita e tij është më në vështirësi se e  të tjerëve, kur të kalojnë pragun e prokurorisë.

Me një urdhër të Strasburgut që e ka vlerësuar 21 janarin me të vrarë Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Aleks Nikën dhe Faik Myrtaj si një krim shtetëror, SPAK ka vlerësuar gjatë këtyre muajve dhjetëra veprime hetimore të prokurorisë së kryeqytetit, ku dhe ka vendosur që disa prej dëshmive ti administrojë ballë për ballë.

Të tjerë që nuk janë pyetur ndonjëherë sikurse edhe protagonistë të politikës , do të kenë ftesa si dëshmitarë në vazhdën e një procesi nën hetim të cilin kryeprokurori i SPAK paralajmëroi zhvillime me shprehjen “ Le t’ja lëmë kohës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA