557 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, përkujtimi për heroin kombëtar nis me “gjamën e burrave”

17/01/2025 20:09

Lezha përkujtoi 557-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Aktivitetet nisën me ritin “Gjamës së Burrave”, një traditë që daton që nga koha e Lekë Dukagjinit, për të shprehur pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe për shqiptarët.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, solli në vëmendje rëndësinë e figurës së Gjergj Kastriotit, duke theksuar rolin e tij si simbol i qëndresës dhe bashkimit kombëtar.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike, Frat Sokol Pepushaj, vlerësoi Gjergj Kastriotin si një dhuratë të Zotit për kombin shqiptar, duke e krahasuar me figurat e tjera të mëdha që kanë qenë të domosdoshme për historinë tonë.

Aktivitetet përkujtimore vijuan në Pallatin e Kulturës, ku përmes një koncerti me muzikë klasike u shpreh dhimbja dhe respekti për këtë humbje të madhe, duke dëshmuar rëndësinë e përjetshme të figurës së Skënderbeut për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA