Viktimizim, e cilëson ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, videomesazhin e një dite më parë të kryeministrit Edi Rama, drejtuar publikut.
Salianji akuzon Ramën për “korrupsion, krim, zullum e shpifje”. “Unë u përballa me banditë, ti i bëre deputetë e kryetarë bashkie”, i drejtohet Salianji kreut të qeverisë, teksa thekson se është dënuar “pa bërë faj”.
Letra e Salianjit:
Autokratuci që ka shtypur, dhunuar, varfëruar dhe shpopulluar Shqipërinë neveriti dhe pështirosi dje të madh e të vogël në përpjekje skizofrenike për të luajtur rolin e viktimës! Nuk dihet çfarë halli i madh e nxori ditë të diele për t’u vetëviktimizuar!
Nuk i jam përgjigjur këto kohë pavarësisht se në çdo konferencë a dalje e ka futur gjuhën e ndyrë te gëzimi i papërmbajtshëm që i sjell urdhri për të stisur e manipuluar një proces që më burgosi, duke përdorur disa shërbëtorë mjeranë. Gëzon si korb, që me ata shërbëtorë vendosi për të më hequr mandatin e fituar nga qytetarët, ndalimin e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme dhe një gjobë thuajse 50 milion lekë, kamufluar si shpenzime gjyqësore!
Ky langaraq me pushtet që është malinj i pangopur, e sigurtë se do të mbytet në detin e ligësisë së tij të pakufishme. Derisa kjo të ndodhë, të shohim pak se çfarë sterkalash të pista shperndan. Thotë që vetëm për rastin tim komenton, se qenkam sipas tij shpifës recidivist, dhe ketu së pari tregon urrejtjen personale dhe vendimmarjen personale dhe se dyti shpifarakun që është, shpif në çdo fjalë që rrotullon në gojë! Qe ta qartësojmë, recidivist është përsërites, recidivíst,-i emër i gjinisë mashkullore; term në drejtësi; ai që është recidiv, përsëritës.
Nisur nga ky përkufizim, nuk ka përsëritës të dytë në Shqipëri sa është Edi Rama në shpifje, afera, abuzim e krim.
Një mori të tillash bëri dhe sot. Një nga të cilat, se nuk e zgjedhin keqbërësit e kriminelët atë, sepse ai i zgjedh bashkëpunëtorët. Në fakt është rrugë me dy korsi. Ai i zgjedh, dhe ata e zgjedhin. Trafikantët e banditët gjithnjë kanë dashur të hyjnë në politikë, po vetëm me Edi Ramen ia dolën, pasi gjetën bashkëpunëtorin e duhur.
Ti je përsëritës në korrupsion. Nuk kalojnë asnjëherë 3 muaj ku një aferë e re financiare të shfaqet, për të mbuluar të vjetrën.
Je përsëritës në mashtrime e dështime. Mjafton të kujtojmë se premton tash 12 vjet ato për të cilat je betuar që në 2013. Ke hapur nja 5 herë negociatat, kur ato nuk ishin hapur asnjëherë.
Unë as kam pasur ndonjë dënim për shpifje, as kam pasur kurrë ndonjë dënim të ndonjë lloji dhe as ndonjë punë me asnjë institucion të drejtësisë, as kam pasur as funksion dhe as kam qene në pushtet, e jo më të kem firmosur apo bërë zullume si ti!
Po, kam patur dhe unë të bëj me bandite, njerëz me precedentë, por në anën tjetër, sepse i kam luftuar. Ti i bëre deputetë e kryetar bashkie, unë i denoncova. Kam pasur gjyqe me shumë prej tyre. Nuk kam humbur asnjëherë, as kur mbroje kanabizimin dhe nxore në pritë Tahirin, dhe isha mes parcelave duke denoncuar atë dhe ty. E doli që unë kisha të drejtë, ndërsa ti përsëritës në krim. Ashtu doli dhe kur nxora me radhe, Ndokën, Prengën, Dakon, Beqajn, Bajrin, Rrajat e pafund, gjithë sorrollopin tënd e familjen tende reale, sepse këta janë në fakt, familja jote me e dashur!
Sot bere mirë që i ritheksove autorësinë dhe ndonjë naivi që mendonte ndryshe, se drejtësia nuk u soll me vapor nga USA dhe as BE, por je ti që kur burgos bandidët prej provave që sjellin partnerët, u shfajësohesh në kthina të errëta që skam ç’u bëj amerikaneve, e kur del ne mexhelis thua qe ti e ke drejtësinë. Ashtu është e vërteta! Ti e ke. Shkruan pretencën, blen dëshmitarët, jep vendimin. Qelia 6 në Fier ta konfirmon autorësinë.
Denoncimi im për trafikantin ndërkombëtar të drogës Agron Xhafaj u konfirmua edhe nga djegia që kjo të jep ty ne fundshpine, në mënyrë përëritëse.
Agron Xhafaj ishte i dënuar në Itali me 7.4 vite burg pas një operacioni të DEA, jetonte i lirë në Shqipëri me mbrojten tende dhe as nuk arrestohej, as deportohej. Kjo, deri ditën që publikova investigimin e gazetarit kurajoz, ku trafikanti jot u detyrua që brenda disa orësh të shkonte të vuante dënimin si gjithë të tjerët.
Ndryshe nga ti, unë nuk gëzohem kur derën e burgut e shohin edhe kundërshtarë e armiq politikë, me të cilët pasi kanë shkuar në atë destinacion, unë nuk jam marrë më me ta, sepse kur merret drejtësia, politika duhet të reflektojë, mbajë përgjegjësi e të ndërhyjë me projektligje për të parandaluar çdo mundësi abuzimi në të ardhmen!
Dënimi im është faqe gjithë botes i montuar, i falsifikuar dhe duke përdorur gjithë burimet shtetërore, jo vetëm si influencë, por dhe si fuqi financiare.
I pari deputet e politikan që dënohem pse thashë thënë të vërtetën. I pari shtetas që dënohem për këtë vepër penale. I pari qytetar qe dënohet pa ligj, i pari rast ku dënohesh për kallëzim pa kallëzuar! Drejtuesit e tu të policisë bashkë me ish-ministrin tënd janë kapur duke paguar si langaraqe, si ti, duke mbushur me para të pista xhepat e ordinerëve të dënuar për krime, që të dëshmonin kundër meje. Gjykatësit që kanë dhënë dënimin janë fiks sorrollopi yt, shëmbëlltyra e tipareve të tua korruptivo-kriminale. Artan Gjermeni i transkriptuar në përgjimet e Prokurorisë së Torinos si zar e shërbëtor i punëve të pista i bandës së Lushnjës, Iliba Bezati kunata e Ballukes tënd e kapur nga shërbimet dhe e dokumentuar si person me kontakte të papërshtatshme, Gent Shala ish-përfaqësuesi jot në KQZ dhe sot ortak dhe pronar faktik ne disa biznese me persona me rekorde kriminale, Elona Toro e kallëzuar në SPAK.
Që nesër, do të publikoj dhe dokumentet për këto që po të shkruaj!
Për fund, mos harro se nëse nuk do mbytesh ne detin e ligësisë që prodhon vetë, do të vijë dita e llogaridhënies, drejtësia vonon por nuk harron!
Top Channel