Gjykata e posaçme ka vendosur të njoftojë palën belge për të vënë në dijeni një shtetas belg të dënuar si trafikant se SPAK ka kërkuar konfiskimin e pasurive të tij që janë zbuluar në Shqipëri.
Ky veprim vjen pas afishimeve publike për nisjen e procesit dhe mbas kërkesës së SPAK që i kërkoi gjykatës t’i konfiskojë pasuritë e belgut Dries Lonneux dhe t’ia kalojë shtetit, asete që përmbi një vit ishin nën sekuestro preventive, raporton Anila Hoxha.
Gjykata ka vendosur që seanca të mbahet në mars 2025 mbasi të shterojë njoftimin personave të bashkëlidhur me trafikantin i cili bleu toka dhe apartamente në Shqipëri. Prokurori i posaçëm Eneid Nakuci kërkon gjithashtu që asetet e shtetasve të bashkëlidhur me belgun dhe që janë të të ëmës Rachida Mgogi, Stephani Lamatre ish bashkëshortja, Pierrine Bodson bashkëjetuesja dhe shoqëria tregtare Ralet Green të kalojnë në favor të shtetit shqiptar.
Bëhet fjalë për dhjetë pasuri që ishin vendosur nën sekuestro preventive më herët për të parandaluar tjetërsimin e pronësisë së tyre dhe që janë apartamente në qytetin e Vlorës dhe të Sarandës si edhe tokë arë nën pronësi të subjektit tregtar.
Loneux 45 vjeç u vu nën akuzë në Belgjikë për drejtim grupi kriminal dhe trafik kokaine ndërkohë që më pas një grup prokurorësh mbërritën në Shqipëri dhe gjurmuan së bashku me SPAK pasuritë e tij që dyshohet se i investoi prej 2016.
Dosja hetimore tregon se 45 vjecari kishte trafikuar ngarkesa kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës. Në atë kohë gjatë hetimit të koduar ‘Farmaceutika” që solli arrestimin e disa trafikantëve , belgët thanë se kishin bllokuar 1.9 tonë kokainë. Belgu që u dënua në vendin e tij me 12 vite burgim tha para drejtësisë se nuk mund të flasë , sepse lideri I grupit sipas tij është shqiptar.
Top Channel