Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me shqetësim të thellë situatën në Korenë e Jugut, pohoi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e përshëndeti vendimin e presidentit koreano-jugor Yoon Suk Yeol për të anuluar vendimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
“Ne vazhdojmë të presim që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha Blinken përmes një deklarate.
Të befasuar, zyrtarët amerikanë po angazhohen në mënyrë aktive me homologët e tyre koreano-jugor në Uashington dhe Seul, duke mbledhur fakte dhe duke vlerësuar situatën në terren.
“Ne nuk u njoftuam paraprakisht për vendimin e Presidentit Yoon. Nuk kam asnjë vlerësim mbi kërcënimin nga Koreja e Veriut në kontekstin e kësaj situate”, shprehet zëdhënës i DASH, Vedant Patel.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Seul njoftoi megjithatë anulimin e takimeve të zakonshme konsullore me qytetarët amerikanë dhe aplikantët për viza, ndërsa u kërkoi gjithashtu qytetarëve amerikanë në Korenë e Jugut që të ndjekin lajmet lokale, udhëzimet zyrtare, të shmangin zonat, ku po zhvillohen protesta dhe të kenë kujdes pranë tubimeve të mëdha ose protestave, sepse edhe protestat paqësore mund të përshkallëzohen papritur.
Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, tha më herët të martën se Shtetet e Bashkuara po ndjekin “me shqetësim të thellë” zhvillimet në Korenë e Jugut dhe shpreson dhe pret që “çdo mosmarrëveshje politike të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”.
Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder theksoi se ushtritë e dy vendeve aleate janë “në kontakt”, por nuk ka patur asnjë kërkesë për ndihmë nga Seuli. Koreja e Veriut sakaq, ende nuk ka reaguar publikisht ndaj kaosit politik në Korenë e Jugut.
Top Channel